Maqedoni
Gjendje e mjerueshme në burgjet e vendit, drejtuesit ankohen për mungesë financash
22.07.2019 18:35
Burgjet në vend përballen me financa të pamjaftueshme për menaxhim adekuat...

Burgjet në vend përballen me financa të pamjaftueshme për menaxhim adekuat, numër të pamjaftueshëm të të punësuarve, mbingarkesë, mungesë risocializimi, sasi dhe cilësi jo të kënaqshme të ushqimit.
Këto dhe shumë vërejtje të tjera janë pjesë e konkluzioneve të Komisionit të përhershëm kuvendor për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, që diskutoi rreth situatës së këtyre të drejtave në institucionet ndëshkuese-përmirësuese deputetët që kanë vizituar vetë burgjet, thonë se mungon edhe përkujdesja e domosdoshme shëndetësore.
“Mjekët të cilët janë nëpër këto institucione, vetëm me një palë dëgjuese dhe me një zyrë të vogël në të cilën siç e pashë nuk kishte asnjë kompjuter”,- tha Mirsada Hasani nga BDI.
Nga Zyra e Avokatit të Popullit ankohen edhe për korrupsion në burgje, përveç gjendjes alarmante me kushtet ku mbahen të burgosurit.
“Nëpër burgje, korrupsioni funksion si sistem ku janë të involvuar shumë lloje të njerëzve, të burgosur, persona zyrtarë, por edhe njerëz nga jashtë burgut, për çka kemi bërë vërejtje serioze, andaj kërkojmë edhe njëherë që kjo çështje të merret parasysh seriozisht”,- theksoi zëvendësavokatja e popullit, Vesna Bajramovska.
Drejtorët e burgjeve arsyetohen se nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare për të krijuar hapësira sipas kushteve që u kërkohen. E derisa deputetët kërkojnë kushte për të burgosurit, drejtuesit e burgjeve kërkojnë siguri e paga më të mëdha për të punësuarit.
“Nuk janë personat e burgosur dhe të paraburgosur të vetmit që përjetojnë torturë. Edhe të punësuarit përjetojnë torturë. Sot në mëngjes një i punësuar në burgun tim u sulmua nga një njeri që mban burg për tentim vrasje”,- tha drejtori i burgut të Shutkës, Esad Rahiq.
Nga Drejtoria për kryerje të sanksioneve thonë se kushtet e këqija për punë në institucionet ndëshkuese-përmirësuese vijnë për shkak të borxhit të lartë të burgjeve prej 148 milionë denarëve. Megjithëse në disa burgje janë lëshuar në përdorim hapësirat e reja, gjendja në to vazhdon të jetë e mjerueshme.
REJHANE BUSHI METAJ
