Maqedoni
Në rast greve, arsimtarët do të mund të zëvendësohen
09.09.2014 17:38
Mësimdhënësit, të cilët do të përfshihen në grevë të organizuar nga Sindikatat e Arsimit, do të zëvendësohen përkohësisht me arsimtarë të tjerë...

Kuvendi, me votim të dyfishtë miratoi propozim-ndryshimet e Ligjit për Arsim Fillor dhe të Mesëm.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, siguroi se Ligjet nuk kanë për qëllim që të pezullojnë të drejtën kushtetuese për grevë, por evitimin e ndërprerjes së procesit arsimor në shkollat fillore dhe të mesme, i cili është i obligueshëm dhe llogaritet si interes shtetëror dhe publik.
“Nuk duhet pasur asnjë frikë, por gjithashtu nuk duhet pasur asnjë dilemë që me këtë Ligj mund të kufizohet e drejta për grevë, por me këtë Ligj tentohet të sigurohet që procesi edukativo-arsimor nuk do të ndërpritet”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Ndryshimet u mbështetën nga shumica parlamentare, e cila gjithashtu vlerëson se me këto ndryshime nuk rrezikohet as e drejta për grevë dhe as vendet e punës së arsimtarëve.
“Arsimtarët e kanë të garantuar të drejtën e tyre në grevë dhe askush nuk do t’i ndalon dhe as që do t’i humbin vendet e punës. Ndërsa për ta arritur qëllimin për të cilin po diskutojmë, arsimtarët kanë shumë mënyra të ndryshme, përfshirë edhe grevën, që ta arrijnë qëllimin e vet”- theksoi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Mirëpo, deputetët opozitarë kundërshtuan ndryshimet e propozuara. Sipas tyre, ky ndryshim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe disa konventa ndërkombëtare, pasi me të “de fakto” pezullohet e drejta për grevë, një nga përfitimet kryesore të demokracisë.
“Jo “de jure”, por “de fakto” ndalohet greva. Nëse këtyre njerëzve u merrni mjetin për të shprehur pakënaqësinë e tyre nga kushtet e punës, rrogat apo çfarëdo qoftë, atëherë është e qartë se u keni pamundësuar të drejtën e tyre për grevë”- potencoi deputetja, Sollza Gërceva.
“Greva, kolegë të nderuar, është njëra nga përfitimet më të rëndësishme të demokracisë. Prandaj, e drejta e grevës është e siguruar me Kushtetutë. Po të mos ishte e rëndësishme për demokracinë e një vendi, atëherë nuk do të ishte as në Kushtetutë. Të mos flasim për konventat ndërkombëtare”- tha deputetja e PLD-së, Roza Topuzova-Karevska.
Në rast të ndërprerjes së punës edukative arsimore për shkak të grevës, drejtori i shkollës fillore, më pëlqim paraprak të kryetarit të Komunës, ndërsa për shkollat shtetërore të ministrit, është i obliguar që të sigurojë realizimin e punës edukative arsimore me zëvendësimin e punëtorëve që bëjnë grevë, për kohën sa zgjat greva, thuhet në Ligj.
SHPËTIM NUREDINI