Maqedoni
Rasti "Zhvatja", Janeva kthehet në punë, kërkon zbardhjen e rastit
23.07.2019 16:42
Prokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva, u kthye nga pushimi mjekësor...

Prokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva, u kthye nga pushimi mjekësor, e për herë të parë foli rreth dyshimeve në opinion për përfshirjen e saj në rastin “Zhvatja”. Janeva thotë se nuk ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe inkurajoi Prokurorinë të zbardh rastin. Pranoi që e njeh të dyshuarin e parë, por, siç tha, kjo nuk është arsyetim për marrjen e veprimeve joligjore.
“Me përgjegjësi them se, as me vetëdije e as pa vetëdije, as me ose pa veprim, nuk e kam keqpërdorur detyrën të cilën e kryej për momentin. Publikisht i inkurajoj organet e jurisprudencës deri në fund t’i zbardhin të gjitha rrethanat për rastin konkret. Është e vërtetë se unë si edhe shumë persona të tjerë që për momentin janë në funksione të ndryshme shtetërore, njihemi me personin Bojan Jovanovski. Asnjëherë nuk e kam fshehur se djali im punon në 1TV dhe se për shkak të përshkrimit të vendit të tij të punës dhe në përditshmëri komunikon me personin. Por, kjo nuk do të thotë se dikush ka marrë të drejtën të keqpërdor detyrën dhe autorizimet e mia zyrtare, për privilegje apo për kryerje të veprimeve joligjore”,- deklaroi kryeprokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva.
Janeva: Emri im është keqpërdorur edhe nga të tjerë
Ajo tha se që nga emërimi ka qenë cak i thashethemeve të shumta, si dhe e akuzave mes partive politike. Janeva pret që në procedurë transparente gjyqësore t’u vihet fund të gjitha informatave jozyrtare me të cilat dikush mundohet, siç tha, të dëmtojë atë.
“Për fat të keq, një kohë të gjatë më vinë zëra se jo vetëm personi, Bojan Jovanovski, por edhe shumë të tjerë pa dijeninë time e keqpërdorin emrin dhe mbiemrin tim për qëllime të ndryshme. Lë në trashëgim 10 hetime të mbyllura të përgatitura për procesim të shpejtë dhe jam e bindur se pikërisht këto raste do t’i japin përgjigje publikut se pse dikush me të gjitha forcat mundohej të pengojë rizgjedhjen time”,- tha kryeprokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva.
Dorëheqjen nga posti i kryeprokurores speciale, Janeva, tha se e ka bërë me qëllim t’u mundësojë partive politike të arrijnë marrëveshje për fatin e PSP-së dhe se nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në rastin "Zhvatja". Pas deklarimit të shkurtër, Janeva u largua duke refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
FLORIJE BELULI KAMBERI
