Niset drejt Hagës, Haradinaj: Do të vazhdoj të mbroj me nder të drejtën tonë

23.07.2019 17:31

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, u nis drejt Hagës....

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, u nis drejt Hagës, ku do të intervistohet nga Gjykata Speciale për Krimet e Luftës.

Në Aeroportin “Adem Jashari” mediat pritën me interes deklaratën e tij, por Haradinaj vendosi të mos flasë. Megjithatë, në statusin në FB e tij zyrtar mbetet i palëkundur në vendimet e tij.

"Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën. Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga dhomat e posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë".

Nuk ka lënë pa përmendur në këtë reagim as dialogun me Serbinë, duke këmbëngulur se është pro marrëveshjes, por taksa do të hiqet vetëm pas njohjes.

"Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euroatlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi së përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë!",- e mbyll reagimin e tij kryeministri në dorëheqje i Kosovës.

Haradinaj dha dorëheqjen nga posti të premten, me argumentin se dëshiron të përballet me drejtësinë si qytetar i lirë.

Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme sipas të gjitha gjasave më 8 shtator. (Gyltene Sinani, TVM2)