Emërimet e drejtorëve të rinj, BDI dorëzon gjashtë propozimet
BDI ka propozuar gjashtë emrat e rinj për drejtorë....

BDI ka propozuar gjashtë emrat e rinj për drejtorë, pasi kryeministri, Zoran Zaev, javën e shkuar shkarkoi 60 drejtues të ndërmarrjeve, zëvendës të tyre, si dhe anëtarë të bordeve drejtues. Në krye të Ndërmarrjes “Hekurudhat – Infrastruktura” propozoi Festim Halilin, drejtor i Byrosë për Furnizime Publike të jetë Elvadina Dika, në Agjencinë e Investimeve të Huaja - Arben Vila, në “Rrugët e Maqedonisë” - Armir Sadiku, në Klinikën e Gjinekologjisë - Ajrula Mustafa dhe në Bankën për Mbështetje të Zhvillimit - Faruk Ismaili.
Deri më tani në ndërmarrjen publike “Hekurudhat – Infrastruktura” e ka udhëhequr Irfan Asani, drejtor i Byrosë për Furnizime Publike ishte Bardhyl Nasufi, Vullnet Ademi ishte drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja, Gajur Kadriu i Ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë”, ndërkaq Valon Bela ishte drejtor ekonomik i Klinikës së Gjinekologjisë. Ushtrues detyre i Bankës për Mbështetje të Zhvillimit ishte Kiril Kolemishevski.
KOVAÇEVSKI, DREJTOR I SHA “ELEKTRANAT E RMV-SË”
Nga propozimet e LSDM-së, Vasko Kovaçevski ish drejtori i TEC - Manastirit është emëruar drejtor i Shoqatës Aksionare “Elektranat e Maqedonisë së Veriut”.
LSDM gjithashtu propozoi Aleksandar Pallçevskin për anëtar të Bordit drejtues në Shoqatën aksionare M-NAV për navigacion ajror, Millan Toçev përfaqësues të aksioneve pronë e qeverisë në Shoqatën Aksionare “Eurokompozit” dhe Keramedin Selimi - anëtar në Këshillin Inspektues.
Emërimet e reja pritet të kalojnë të mërkurën në seancë të qeverisë. Në po të njëjtën seancë pritet të emërohen edhe drejtorët e 12 ndërmarrjeve në kompetenca të qeverisë. (Meral Ismaili, TVM2)
