Asfaltohet rruga Tetovë - Kodra e Diellit, Qeveria: Mbetemi partner strategjik i komunave

23.07.2019 19:06

Ndër vite me radhë aksi rrugor Tetovë-Kodra e Diellit është lënë pasdore dhe është në gjendje të mjerueshme....

Ndër vite me radhë aksi rrugor Tetovë-Kodra e Diellit është lënë pasdore dhe është në gjendje të mjerueshme. Ndonëse pritej që e njëjta të rikostruohet në tërësi, për momentin po rehabilitohen e po shtrohen me asfalt 18 kilometra të rrugës.

Për të inspektuar punimet, dolën kryetarja e komunës e shoqëruar nga ministra e drejtorë ndërmarrjesh. Kryetarja e Tetovës thotë se komuna ka aplikuar me projekte në Bankën Botërore për rregullimin e rrugëve lokale brenda Kodrës së Diellit.

“Projekti ynë kap vlerën prej 1 milion e gjysmë, kurse nuk e dimë se sa do të akordohen, ku do të përfshihen rrjeti i kanalizimit dhe rregullimi i rrugës brenda Kodrës së Diellit”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Ministrat thonë se qeveria mbetet partner i përkushtuar për komunat.

“Qeveria është partner strategjik i komunave, ne përgatisim projekt prej 70 milion eurosh nga Banka Botërore për rrugë lokale që do u ndihmojë komunave dhe të cilat mjete do të mund t’i përdorin vitin e ardhshëm”,- theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.

“Ne si qeveri, pasi të bëhet rikonstruimi i rrugës që lidh Tetovën me Kodrën e Diellit, me siguri që në bashkëpunim direkt me komunën e Tetovës do fillojmë edhe realizimin në brendësi të rrugëve lokale në Kodrën e Diellit. Për momentin vetëm i kemi siguruar mjetet për financimin e rrugëve lokale që janë në kompetenca të komunave, që besoj se komuna e Tetovës, meqë i ka përgatitur dokumentet, do të fitojë mjete”,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Edhe teleferiku është në fazën përfundimtare, thotë Bekteshi, duke premtuar kushte optimale shumë shpejt për vizitorët në Kodrën e Diellit. Përderisa qeveria dhe ministrat pohojnë se infrastruktura është e rëndësishme për zhvillimin e turizmit, kohë më parë nga OJQ “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, alarmuan se rehabilitimi i rrugës është vetëm sipërfaqësor dhe nevojiten më shumë investime, që turizmi në Kodrën e Diellit të ketë perspektivë. (Visar Sadiki, TVM2)