Botë

Marrja në pyetje nga Gjykata Speciale, Haradinaj në Hagë mbrohet në heshtje

24.07.2019 13:50

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përfunduar marrjen në pyetje....

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përfunduar marrjen në pyetje nga prokurorët e dhomave të specializuara të Gjykatës në Hagë. Ai ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, duke mos u përgjigjur në pyetjet e prokurorëve, por si i dyshuar me pjesëmarrjen e tij ka kryer obligimin ligjor që t’i përgjigjet ftesës së Speciales. Haradinaj pas intervistimit tha se nuk ka njohuri se për çfarë është i dyshuar, por tha se është ftuar për shkak të rolit të tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. 
 
“Jam paraqitur si i dyshuar për të kryer obligimin ligjor në bazë të një ftese të Prokurorisë Speciale të dhomave të posaçme. Kam pranuar këshillën ligjore që mos të përgjigjem fare në pyetje. Me këtë kam kryer obligimet e mia ndaj gjykatës, në bazë të Ligjit për dhomat e posaçme, obligime tjera nuk kam. Këto janë procedura ligjore jo për me fsheh diçka prej publikut, por nuk ka një materie, një përmbajtje me të cilën jam njoftuar për çfarë bëhet fjalë, meqë ligji ma lejon, këshilla ligjore ka qenë që mos me hy në diskutim të përmbajtjes”,- tha kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.
 
Zgjedhjet e parakohshme, Haradinaj: Datën e vendos presidenti, jam gati për fushatë
 
Haradinaj tha se Prokuroria nuk ka paraqitur ndonjë obligim tjetër ndaj tij dhe se do kthehet në Kosovë i gatshëm për të kërkuar votat e qytetarëve. 
 
“Nëse presidenti na thërret në konsulta për datën e zgjedhjeve ose kryeparlamentari për formulën e shpërbërjes së parlamentit, unë e jap kontributin tim, por tani ajo është kompetencë e presidentit dhe shpërbërja e kuvendit. Nuk janë zhvillime të thjeshta, jam detyruar të jap dorëheqje, të shkoj në zgjedhje. Për fat të mirë ka stabilitet në Kosovë",- tha kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.
 
Përsëriti qëndrimin se ishte i detyruar të dorëhiqet nga posti i kryeministrit, pasi në Hagë deshi të shkonte si qytetar i thjeshtë, e jo si zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës. Por, Haradinaj tha se në zgjedhjet e jashtëzakonshme do të garojë përsëri për postin e kryeministrit.
 
GYLTENE SINANI