Maqedoni

Murtaja afrikane e derrit, AUV: Asnjë rast në RMV, kemi marrë masa

24.07.2019 14:35

Murtaja afrikane e derrit, sëmundje kjo që është zgjeruar tashmë në Bullgari....

Murtaja afrikane e derrit, sëmundje kjo që është zgjeruar tashmë në Bullgari, Rumani dhe vende të tjera të Europës Lindore, nuk ka prekur vendin tonë. Por, megjithëse ende nuk ka asnjë rast të vërtetuar, nga AUV kanë shtuar masat e sigurisë. Është ndaluar transporti i mishit të derrit nga vendet e rrezikshme dhe u apelohet qytetarëve të mos sjellin produkte të mishit të derrit nga jashtë, kurse kultivuesit të mos i ruajnë derrat në ambient të hapur.
 
“Është sjellë ndalesë për eksport dhe transit të mishit të derrit dhe prodhime të derrit nga vendet dhe rajonet ku është vërtetuar kjo sëmundje. Që nga viti 2017, agjencia kryen monitorimin për prezencën e kësaj sëmundje te derrat e egër, me çka nga secili derr i gjuajtur merren mostrat dhe më pas kontrollohen në laborator. Është bërë një plan për masa urgjente dhe doracak operativ për ballafaqim me murtajën e derrit, në qoftë se paraqitet”,- tha drejtori i AUV-së, Zoran Atanasov.
 
Murtaja afrikane e derrit nuk është e rrezikshme për njerëzit, por dëmton bagëtinë. Kjo sëmundje u shfaq në vitin 2007 në Kazakistan, zgjerohet zakonisht përmes derrave të egër, por është mjaft e shfaqur edhe në Europën Lindore. Ndërmarrja e masave, sipas AUV-së, do të ulë dhe kontrollojë përhapjen eventuale të sëmundjes.
 
BELINDA KOKA ADEMI