Maqedoni
Rasti “Zhvatja”, LOE: Është shantazhuar edhe një biznesmen
24.07.2019 15:11
Edhe një tjetër biznesmen ka qenë viktimë e shantazhit, alarmojnë nga Lidhja e Odave Ekonomike....

Theksuan se bëhet fjalë për një kompani të madhe, anëtare të tyre, por pa dhënë më shumë detaje. Megjithatë thanë se shantazhimet e tilla kanë tronditur komunitetin e biznesit. Kryetarja e LOE-së, Daniela Arsovka, kërkon zbardhjen sa më të shpejtë të rasteve të shantazhimit të biznesmenëve.
“Ka më shumë raste që janë paraqitur. Ne nuk jemi organ hetimi e as dikush që duhet t’i ndjekë apo hetojë këto raste, megjithatë ne jemi ata që iu dalim në mbrojte anëtarëve tanë. Ka më shumë se një rast të paraqitur, qoftë për rasti “Zhvatja”, apo për situata të tjera dhe do të bëjmë gjithçka që është në kompetenca tona për t’i mbrojtur anëtarët dhe të përpiqemi që raste të tilla të mos përsëriten, ky është interesi ynë”,- tha kryetarja e LOE-së, Daniela Arsovska.
OEMVP: Nuk kemi asnjë rast shantazhi të paraqitur
Nga OEMVP ndërkohë nuk kanë asnjë rast shantazhi të paraqitur ndaj anëtarëve të tyre.
“Deri në këtë moment nuk kemi ndonjë rast nga anëtarët e Odës që kanë paralajmëruar ndonjë rast të tillë. Apeli i anëtarëve të Odës është që mos të keqpërdoren emrat e tyre nëpër mediume mbi rastet eventuale që mund të jenë të dyshuar”,- theksoi Drilon Iseni nga OEVP.
Bekteshi: Pa sundim të ligjit, nuk ka zhvillim ekonomik
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nuk komenton rastet në procedurë hetimore, por inkurajon çdo biznesmen që përballet me situata të tilla të lajmërojë rastin. Thotë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa sundim të ligjit.
“Dua të shfrytëzoj rastin dhe të inkurajoj të gjithë sipërmarrësit nëse ndodhen në situata të tilla, të lajmërohen në organet përkatëse. Ne si qeveri dhe njëkohësisht edhe si sektor ekonomik, jemi më së shumti të interesuar që në vend të funksionojë sundimi i së drejtës, sepse pa sundimi të së drejtës nuk mund të zhvillojmë edhe ekonominë e vendit”,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nga LOE ripërsërisin atë që kanë një vit që e kërkojnë nga të gjitha instancat shtetërore. Pa mbrojtje dhe përkujdesje për investitorët që krijojnë vende të reja pune, askush nuk do të mundet të thotë as për këtë vit e as për të tjerët me radhë, se ky do të jetë viti i ekonomisë.
REJHANE BUSHI METAJ
