Maqedoni

Zllatev: MPB nuk kap kriminelët, kërkon informatorët

24.07.2019 15:38

MPB ka ftuar në bisedë informative gazetarin, Lupço Zllatev....

MPB ka ftuar në bisedë informative gazetarin, Lupço Zllatev, i cili botoi informacionin dhe bisedën telefonike që hapi dyshimin për përfshirje të sekretarit gjeneral të qeverisë, Dragi Rashkovski, në një aferë të dyshimtë  tenderimi me pajisjen e M-NAV. Pas daljes nga stacioni i policisë, Zllatev tha se i është kërkuar të zbulojë emrin e informatorit, gjë që qartë ka thënë se nuk ka ndërmend ta bëjë, madje ka ftuar edhe persona të tjerë që mund të posedojnë dëshmi të tilla, t’ia dorëzojnë për publikim.
 
Akuzoi qeverinë dhe policinë se në vend që të dënojnë kriminelët, marrin në pyetje gazetarin që publikoi lajmin në të cilin ka indicie serioze për përfshirje në veprime kriminale të një funksionari shtetëror.
 
“Në vend që të hetojnë ata që bëjnë vepra kriminele, MPB vendosi të vihet pas atyre që e zbulojnë kriminalitetin. Nëpunësit policorë më pyetën për dy gjëra. A qëndroj unë pas tekstit, gjë që për mua është pyetje e pakuptimtë pasi emri im është në atë tekst, dhe cili është informatori që më ka dorëzuar audio-xhirimin. Do të thotë se qëllimi kryesor nuk është të zbulohet kriminaliteti, por personi që medias ia ofroi dëshminë për këtë krim. Iu përgjigja se kurrë nuk do ta zbuloj burimin tim, ashtu si asnjëherë nuk do të zbuloj asnjë prej burimeve në shkrimet e mia. Shpresoj se nuk do të gjendet asnjë prokuror që do ta procesuojë këtë rast, pasi gjithkund në botë publikohen materiale të tilla. Ju rikujtoj se në Austri ra qeveria prej një materiali të tillë”,- tha gazetari, Lupço Zllatev.