Rritje pagash dhe avancime për punëtorët socialë, Carovska: Punëtorë të motivuar, sistem cilësor
Punëtorët socialë pagën e muajit qershor që e marrin në muajin korrik....

Punëtorët socialë pagën e muajit qershor që e marrin në muajin korrik, do ta kenë me rritje prej 22%, apo mesatarisht për afro 4.300 denarë.
Ministrja Carovska gjatë takimit me përfaqësues të qendrave sociale premtoi edhe një rritje prej 5% në shtator. Kjo rritje e rrogave, sipas saj, do të motivojë punëtorët socialë, duke mundësuar kështu edhe krijimin e një sistemi funksional me shërbime cilësore.
“Nëse duam të kemi sistem social cilësor, duhet të kemi punëtorë të motivuar dhe profesionistë në shërbimet sociale. Që t’i kemi ata në sistemin e mbrojtjes sociale, duhet të jemi edhe korrektë ndaj tyre si në paga ashtu edhe në edukimin e vazhdueshëm si dhe zhvillimin e karrierës së tyre, e cila për herë të parë në Ligjin për mbrojtje sociale vendoset si bazë”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska.
“Me vendimin e ri ligjor u krijua një hapësirë e re për pagesë sistematike të drejtorëve në qendrat për punë sociale, kjo është mundësi për paga më të larta dhe rritje të përgjegjësive”,- theksoi drejtori i Qendrës Komunale për Punë Sociale – Strumicë, Zoran Manev.
“Rritja e pagave drejtpërdrejt ndikon në motivimin e punëtorëve në qendrat për punë sociale”,- theksoi punëtorja sociale, Aneta Trajkovska.
Ligji i ri mundëson edhe zhvillimin e kreativitetit të punëtorëve të cilët do të jenë të ndarë në katër kategori dhe në bazë të këtij principi do të kenë mundësi të japin kontributin e tyre dhe të shënojnë rezultate të dukshme, me çka do të avancohen në karrierë. (Leunora Kaliqi, TVM2)
