Pr/ligji për Prokurorinë Publike, propozimi qeveritar mbërrin në Kuvend

24.07.2019 17:54

Propozim ligji qeveritar për Prokurori Publike mbërriti në Kuvend....

Propozim ligji qeveritar për Prokurori Publike mbërriti në Kuvend. Sipas procedurës, kryeparlamentari në afat prej tre ditësh duhet ta shqyrtojë ligjin dhe më pas ta vë në rend dite javën që vjen. Partia e Mickovskit, e cila pret të marrë në duar propozim ligjin dhe më pas të ndërtojë vërejtje dhe qëndrime konkrete, nuk beson që i njëjti mund të ketë qëllime të sinqerta.

Arsovski: Së shpejti do të dalim me qëndrim

Zëdhënësi i partisë, Dimçe Arsovski, hedh dyshime për lidhje të Villma Ruskoskës me pushtetin.

“Ditët në vijim do të dalim me vërejtjet ndaj propozimit të tyre. Ndërkohë, jemi të fokusuar në përfundimin e propozim ligjit tonë dhe do të dalim me propozime konkrete. Në pjesën për refuzimin e Villma Ruskoskës, shumë mirë dihet se cila është arsyeja, lidhja e saj me pushtetin, ashtu që prisni që ditët në vijim të dalim me vërejtje dhe propozime përfundimtare”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Zaev: Kemi zgjidhje për të përmbyllur çështjen

Kryeministri Zaev siguron se propozim ligji ngërthen në vete pjesën më të madhe të rekomandimeve të opozitës. Zaev thotë se ai nuk e ka emëruar Ruskoskën, por ajo veç më kryeson me atë repart të Prokurorisë.

“Unë nuk e propozova Villma Ruskoskën për shefe. As mua nuk më pëlqente Villma Ruskoska para pesë, shtatë dhe nëntë viteve. Kush më pyet mua për këtë punë, ose opozitën apo cilindo. Prokurorët i zgjedh Këshilli i Prokurorëve dhe që të gjithë le të konkurrojnë atje. Kërkesa e VMRO-së me shkrim ishte që të heqim dorë nga pavarësia e PSP-së dhe ta bashkëngjisim në repartin aktual për krim të organizuar dhe korrupsion. Ne e pranuam këtë. Andaj unë besoj se kemi zgjidhje dhe këto ditë do të hapim debat dhe ta ndihmojmë shtetin dhe këtë çështje ta heqim nga rendi i ditës”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Qeveria propozon që ligji të miratohet me shenjë europiane dhe procedurë të përshpejtuar. Kryeparlamentari Xhaferi ditë më parë është shprehur se miratimi i ligjit varet nga pozicionet e partive politike, pasi që nevojiten dy të tretat e votave.

Me projekt ligjin e ri parashihet që Specialja të integrohet në Prokurorinë e drejtuar aktualisht nga Ruskoska.

Integrimi i Speciales në Prokurorinë aktuale do të përfshinte lëndët e hapura nga PSP si dhe kuadrin deri në shtator, kur u përfundon mandati, me të drejtë për konkurrim. (Meral Ismaili, TVM2)