Përhapja e dezinformatave, Qeveria u shpall luftë lajmeve të rreme

24.07.2019 18:12

Lajmet e rreme dhe keqinformimi janë problem në rritje jo vetëm në vendin tonë...

Lajmet  e rreme dhe keqinformimi janë problem në rritje jo vetëm në vendin tonë. Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë jo vetëm për përballje me lajmet e rreme, por edhe për përforcimin e sigurisë sajber.

Ekzekutivi thotë se dy vitet e fundit po përballet me shtim të lajmeve të rreme dhe dezinformatave që vijnë edhe nga jashtë vendit. Është koha e fundit t’u jepet fund dukurive të tilla që dëmtojnë demokracinë, thotë kryeministri Zaev, që paralajmëroi planin aksional të qeverisë që përbëhet nga komponenti i sigurisë dhe masat aktive.

“Keqinformimi është njëra nga sfidat e demokracisë dhe mjet për manipulim me qytetarët. Keqpërdorimi i teknologjisë është bërë sulm serioz i proceseve demokratike dhe seriozisht po e kërcënon ndikimin e besueshmërisë së qytetarëve në institucione. Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar është përballur me shpërndarje masovike të lajmeve të rreme, ndërsa një pjesë e tyre janë shpërndarë edhe nga vende tjera”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Siguria protokollare, Zaev ndryshon numrin e telefonit

E një nga masat aktive është edhe përforcimi i protokollit të sigurisë institucionale dhe transparenca më e madhe në mënyrë që qytetarët të dinë ta bëjnë dallimin mes informatës reale dhe lajmeve të rreme.

“Unë tani më kam ndërruar numrin tim dhe gjithashtu edhe celularin si pjesë e sigurisë protokollare. Do të krijohet listë e dokumenteve dhe informacioneve, të cilat do të duhet të përditësohen dhe të shpallen. Qeveria në ueb faqen e saj do të përgjigjet në pyetjet e qytetarëve dhe mediave. Do të zhvillohen programe edukative mbi dezinformatat dhe ndikimin e tyre të dëmshëm”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Do të formohet edhe një grup aksionar kundër dezinformimit, i cili do të analizojë dhe do të përcjellë sulmet e që do të drejtohet nga ministri, Robert Popovski. Deri në finalizimin e tij, plani do të dalë edhe në debat publik me përfshirjen e më shumë palëve të interesuara, OJQ-ve e sidomos të mediave. (Gazmend Rexhepi, TVM2)