Han dhe Riker do të vizitojnë Shkupin, Bilalli: U intereson fati i Speciales

24.07.2019 18:46

Maqedonia e Veriut mbetet në fokusin e diplomacisë së BE-së dhe SHBA-ve....

Maqedonia e Veriut mbetet në fokusin e diplomacisë së BE-së dhe SHBA-ve. Dy ditët në vijim, Shkupin zyrtar do ta vizitojnë eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, dhe ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker.

Dy zyrtarët e lartë do të realizojnë takime me krerët shtetërorë dhe përfaqësues politikë me relevancë. Sipas agjendave zyrtare, do të bisedohet për reformat dhe rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

Ndërkaq, analisti politik, Mersel Bilalli, pret që përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe SHBA-ve të tregojnë interes të posaçëm për fatin e PPS-së, përkatësisht propozim Ligjin për Prokurorinë Publike dhe luftën me krimin dhe korrupsionin në nivele të larta.

“Jam i mendimit se vizita e z. Riker dhe z. Han në Maqedoni, në rend të parë i dedikohet çështjes së funksionimit në ardhmëri të Prokurorisë Speciale, veçanërisht pas dorëheqjes së udhëheqëses së saj dhe në kontekst të bllokadës e cila është evidente, duke parë realitetin se pjesa e opozitës vazhdon esencialisht ta kundërshtojë funksionimin e mëtejshëm dhe transformimin e mëtejshëm të këtij organi”,- u shpreh analisti politik, Mersel Bilalli.

Bilalli: Do të ketë presion mbi VMRO-në për PSP-në

Sipas Bilallit, nuk do të mungojë as presioni ndaj VMRO-DPMNE-së në opozitë, që të përkrah Ligjin e ri për Prokurorinë Publike, i cili parasheh inkorporimin e Speciales në kuadër të Prokurorisë Publike për krim të organizuar dhe marrjen në kompetencë të rasteve të hapura nga Specialja.

“Ky do të jetë edhe një presion drejtuar udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së që të tejkalohen gjitha ndasitë që kanë të bëjnë me funksionimin e PPS-së dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”,- theksoi analisti politik, Mersel Bilalli.

Bilalli konsideron se çështja e reformave të përgjithshme në strukturat e jurisprudencës, veçanërisht luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të ketë fokus të veçantë dhe se ndodhitë e ditëve të fundit kanë dëshmuar se pushteti mund të luftojë edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin brenda vetvetes. (Shpëtim Nuredini, TVM2)