Miratohen ndryshimet në Ligjin e Shëndetësisë, lehtësime për mjekët dhe specializantët

24.07.2019 19:19

Me procedurë të shkurtuar në Kuvend u miratuan propozim ndryshimet në Ligjin për Shëndetësi...

Me procedurë të shkurtuar në Kuvend u miratuan propozim ndryshimet në Ligjin për Shëndetësi, me të cilat tentohet përmirësimi i kushteve të punonjësve në institucionet shtetërore në veçanti për specializantët.

Tani e tutje nëse specializantët duan të largohen më herët nga puna në spitalet e shtetit, nuk do të duhet t’i kthejnë shtetit një të pestën e shumës që e kanë marrë për specializim, por vetëm një të dytën.

Po ashtu specializantët do të obligohen t’i shërbejnë shtetit vetëm aq vite sa u ka zgjatur specializimi, përkatësisht 5 ose 6 vite, dhe jo si deri më tani 10 deri më 15 vite.

Me propozim ndryshimet dhe plotësimet rregullohen edhe të drejtat dhe obligimet për mënyrën dhe procedurën e kryerjes së shërbimeve për specializim dhe konsultim në mes të institucioneve shëndetësore me kontratë të lidhur me akt juridik formal.

“Me këto ndryshme do të përfshihen disa aspekte, rregullimi i nevojës për rekomandimin e bashkëpunëtorit shëndetësor, hapësirën për punë si dhe lidhjen e marrëveshjes për të drejtat dhe obligimet mes institucioneve shëndetësore për mënyrën e kryerjes së shërbimeve specialistike dhe konsultative. Me këtë propozim-ligj fshihen dispozitat e ligjit në lidhje me dhënien e provimit për drejtor në institucionet shëndetësore”,- tha Beti Rabaxhieva nga LSDM.

Edhe Sindikata e Qendrës Klinike përkrah ndryshimet në Ligjin për mbrojtje shëndetësore, nga ku vlerësojnë se është pozitive nisma që doktorët në pension të punojnë si konsultantë, nëse kjo kërkohet nga institucioni shëndetësor. (Flutura Latifi, TVM2)