“Lufta” për Teatrin Kombëtar në Tiranë, artistët nuk lejojnë shembjen, përplasen me policinë
Policia ka rrethuar mëngjesin e sotëm ndërtesën e Teatrit Kombëtar në Tiranë....

Policia ka rrethuar mëngjesin e sotëm ndërtesën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, por prishja e godinës ka hasur në rezistencën e fortë të aktorëve, regjisorëve e të punësuarve të tjerë të mbështetur edhe nga qytetarët që nuk lejojnë shembjen e teatrit.
Përplasja ka degraduar deri në dhunë fizike, çka ka bërë që kreu i Opozitës, Lulzim Basha, të shkojë në mbështetje të artistëve, duke u ngujuar përreth dy orë me ta në godinë.
Basha ka premtuar se nuk do t’i braktisë artistët në kauzën e tyre.
“Është një projekt grabitje, një projekt kriminal. Qëllimi është grabitja e kësaj toke dhe për të pastruar paratë e drogës, me një arkitekt të dënuar në Itali. Është për t’i rrëmbyer kryeqytetit, Teatrin Kombëtar dhe për të pasuruar Edi Ramën dhe për të pastruar paratë e drogës. Teatrin e kanë mbrojtur aktorët. Jemi këtu për të ndaluar këtë grabitje kriminale. Kjo që po ndodh sot me Teatrin, nesër do ndodhë tek shtëpia e shqiptarëve”,- deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ashpër ka reaguar dhe presidenti Meta, që e ka cilësuar si të turpshme pamjen që iu ofrua shqiptarëve. Meta dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për shpalljen si të paligjshme të Ligjit për shembjen e teatrit.
“Republika e Shqipërisë do të jetë një vend i sundimit të ligjit dhe i sundimit të popullit. Boll me sundimin e oligarkëve. Dua të siguroj të gjithë se është e domosdoshme që ndërpritet ekzekutimi i këtij akti kriminal që filloi sot në mëngjes. Dua t’i siguroj të gjithë se do të veprojë drejtësia shqiptare, dhe drejtësia ndërkombëtare ndaj rilindasve lokalë”,- theksoi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Por, kryeministri, Edi Rama, thotë se teatri i ri do të ndërtohet dhe asnjë minorancë nuk mund ta pengojë projektin.
“Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse”,- shkruan kryeministri Rama në Twitter.
Sipas projektit të Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës, Teatri ekzistues nuk i përmbush as standardet më minimale, ndaj në vend të tij do të ndërtohet një teatër i ri. (Luljeta Ndoka, TVM2)
