Eurokomisioneri për zgjerim në Shkup, Han: Garanci se rastet e PSP-së do vazhdojnë
Eurokomisari për fqinjësi të mirë dhe zgjerim, Johanes Han...

Eurokomisari për fqinjësi të mirë dhe zgjerim, Johanes Han, kërkoi zero tolerancë për krimin dhe korrupsionin në nivele të larta dhe vazhdimin e procesit të nisur me Prokurorinë Speciale për të bindur vendet anëtare të BE-së se në Maqedoninë e Veriut funksionon shteti ligjor.
Në këtë drejtim kërkoi qasje konstruktive nga opozita për të dëshmuar se edhe ajo ka prioritet sundimin e ligjit dhe arritjen e qëllimit final, anëtarësimin e vendit në BE.
“Me rëndësi, për në tetor, është që të miratohet Ligji për Prokurorinë Publike, i cili ofron garanci për sundimin e ligjit.”- theksoi ndër të tjera eurokomisionari Han.
“Erdha në Shkup për të diskuar reformat me liderët politikë, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë pavarësinë e gjyqësisë dhe nevojën për llogaridhënie. Jeni afër që në tetor të bëni një hap të madh me interes për qytetarët tuaj. Dhe kjo është arsyeja pse është me rëndësi që të vazhdoni të shënoni rezultate në reforma, e që përfshin edhe miratimin e Ligjit për të konfirmuar se puna mbi rastet në kompetencë të Prokurorisë Speciale do të vazhdojë dhe kjo është me rëndësi kruciale edhe për vendin tuaj. Të gjitha partitë duhet të dëshmojnë vendosmërinë për të mundësuar sundimin e ligjit. Prandaj duhet të vazhdojnë përpjekjet në këtë fushë dhe të tregohet zero tolerancë për korrupsionin dhe krimin e organizuar”,- tha komisioneri për zgjerim, Johanes Han.
Zaev: Deri në shtator do të miratojmë Ligjin për PThP-në
Han u shpreh i bindur se, premtimi i parealizuar për çeljen e bisedimeve në qershor do të përmbushet në tetor, ndërkaq kryeministri, Zoran Zaev, i cili po ashtu pret vendim pozitiv në tetor, u shpreh optimist se projekt-ligji për Prokurorinë Publike do të miratohet, më së voni deri në fillim të muajit shtator.
Konsideron se edhe opozita do ta gjejë veten fituese dhe do ta përkrahë pr/ligjin ku janë përfshirë kërkesat kryesore të saj. Kështu do të plotësohen të gjitha kërkesat e KE-së për marrjen e datës për fillimin e negociatave, theksoi Zaev.
“Kuptohet, neve na mbetet që deri në tetor, me përkushtim dhe sinqeritet të mbyllim proceset reformuese, edhe pse nuk na kërkohet që të vazhdojmë me ritmin e njëjtë, posaçërisht në përfundimin e reformave në sistemin juridik me pr/ligjin e ri për Prokurorinë Publike, që në tetor të paraqitemi si vend që ka mbyll të gjitha çështjet për marrjen e datës së premtuar për fillimin e bisedimeve”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Vizitën e komisionerit Han, kryeministri Zaev e cilësoi si fillim i fazës së fundit deri në fillimin e bisedimeve në tetor. Ndërkaq, komisioneri Han tha se përfundimin e mandatit të tij në tetor dëshiron ta kurorëzojë me vendim në favor të Maqedonisë së Veriut, për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
