Autostrada Shkup-Bllacë, Qeveria shpall tenderin për 2 kilometrat e para

25.07.2019 16:47

Edhe zyrtarisht u shpall tenderi për ndërtimin e aksit të parë prej 2 km të autostradës Shkup – Bllacë....

Edhe zyrtarisht u shpall tenderi për ndërtimin e aksit të parë prej 2 km të autostradës Shkup – Bllacë.

Kjo pjesë do të ndërtohet nga  Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore, e nëse gjithçka shkon sipas afateve të parapara, punët ndërtimore pritet të nisin para vitit të ri. Në aksin e parë është paraparë të ndërtohet edhe një nyje lidhëse për kyçje në fshatin Bllacë dhe dy rrethrrotullime.

“Sot është kjo një ditë historike pas 20 vitesh përpjekje për të ndërtuar këtë arterje të rëndësishme të vendit. Hapja e tenderit do të jetë diku në 4 shtator dhe nëse gjithçka do të shkojë në rregull, unë besoj se gjatë këtij viti edhe do të fillojnë punët përgatitore dhe punët ndërtimore. Sfidat për ndërtimin e kësaj rruge kanë qenë të shumta, duke filluar nga mungesa e vullnetit politik në momente të caktuara deri në mungesën e mjeteve financiare, por edhe përgatitja teknike për të ndërtuar një projekt i cili vërtetë është sfidues”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.

“Autostrada do të ndërtohet sipas standardeve evropiane me dy korsi për vozitje dhe një për ndalim të detyrueshëm në një drejtim, gjerësia e korsive për vozitje është nga 3,5 metra, ndërkaq korsia e ndalimit të detyrueshëm është 2,75 metra respektivisht gjerësia e përgjithshme e asfaltit të korsisë në një drejtim është 10,25 metra, ndërsa shpejtësia e lëvizjes do të jetë 100 kilometra në orë”,- theksoi Zoran Kitanov nga NPRRSh.

Osmani dhe Kitanov nuk dhanë afate konkrete se kur pritet të kompletohet autostrada deri në Bllacë, me ndërtimin e tërësishëm të së cilës lidhshmëria kohore mes Shkupit dhe Prishtinës do të zvogëlohet në më pak se një orë. (Zekirja Mexhiti, TVM2)