Takimi Han – Ahmeti, Ahmeti: Politika larg përzgjedhjes së prokurorit të ri

25.07.2019 17:04

Fati i Prokurorisë Speciale, vetingu i politikanëve dhe regjistrimi i popullsisë....

Fati i Prokurorisë Speciale, vetingu i politikanëve dhe regjistrimi i popullsisë, ishin tre temat që eurokomisionieri Han bisedoi me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, në info qendrën e BE-së.

Ahmeti në mbështetje të Ligjit për Prokurori Publike, tha se “bombat” mund të jenë dëshmi edhe në procese të ardhshme gjyqësore nga Prokuroria e re për krim të lartë dhe korrupsion. Lideri integrist hedh poshtë idenë e ASh-së për të sjellë prokurorë nga jashtë. Këmbëngul se politika nuk duhet të përzihet në zgjedhjen e prokurorit që do të drejtonte prokurorinë e re.

“Vendi nuk ka nevojë që ta huazojë apo ta shndërrojë veten në protektorat, sepse në këtë vend gjërat dhe proceset kanë shkuar aq larg saqë ne jemi anëtare e NATO-s. Ne nuk kemi propozime sepse prokurorët i zgjedh këshilli i prokurorëve dhe ne nuk jemi në këshillin e prokurorëve. Ne bëjmë ligje dhe ligjet i zbatojnë organet zbatuese”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Han mbështet vetingun e iniciuar nga BDI

Eurokomisioneri Han ka mbështetur Ahmetin për Ligjin e vetingut të politikanëve nëpërmjet një institucioni kredibil.

“Tanimë është në proces një ligj mbi pastërtinë e figurave dhe do të hapet debat nëpër grupet parlamentare në partitë politike, por ne jemi të përkushtuar që çdo funksionar në këtë vend të kalojë përmes një institucioni i cili do të mundësojë njerëzve të funksionojnë në rrethana më të mira”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Han ka takuar edhe kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, por në selinë e opozitës.

Mësohet se në këtë takim, komisioneri Han ka adresuar thirrjet për bashkim të të gjitha forcave politike në vend për luftimin e krimit dhe korrupsionit, arritjen e Ligjit për Prokurori Publike si dhe bashkëpunimin për marrjen e datës për fillim të bisedimeve me BE-në në tetor.

Mickovski: Propozim Ligji për Prokurori, mjet i pushtetit

Mickovski i është ankuar eurokomisionerit se pushteti mosmenaxhimin e krimit e ka reflektuar edhe në propozim Ligjin për Prokurori Publike.

“Mickovski ka theksuar se nuk ka vullnet të menaxhohet korrupsioni dhe këtë e ka reflektuar në propozim Ligjin për organizimin e prokurorisë. Zgjidhjet janë mjet i pushtetit për trysni politike dhe mbrojtje të krimit. Asnjë krim nuk duhet të mbetet imun ndaj drejtësisë dhe në këtë plan  nuk ka nevojë për kompromise”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Për një takim liderësh, Mickovski ka thënë se nevojitet të caktohet data për zgjedhje të parakohshme parlamentare. (Meral Ismaili, TVM2)