Shtëpitë studentore në kushte të vështira, 61 denarë në ditë për ushqim

25.07.2019 17:25

Shtëpia studentore “Shkupi” ka një buxhet vjetor prej 3.5 milion eurosh...

Shtëpia studentore “Shkupi” ka një buxhet vjetor prej 3.5 milion eurosh, ku përfshihen harxhimet për ushqim dhe qëndrim të studentëve.

Analiza që Forumi Rinor Arsimor i bëri harxhimit të këtyre mjeteve në 4 vitet e kaluara, tregoi se vetëm 15% e mjeteve janë ndarë për ushqimin e studentëve e kjo do të thotë se për 3 vakte në ditë, për një student janë harxhuar vetëm 61 denarë. Çfarë ushqimi mund të hahet me kaq pak para, thonë studentët, sipas të cilëve kjo dhe kushtet e këqija të akomodimit bëjnë që studentët të largohen nga konviktet.

“15 për qind që ndahen nga buxheti nuk mjaftojnë për një student. Kjo sqarohet edhe me faktin se një student merr në muaj një banane nëse duam në mënyrë  ilustrative  ta sqarojmë problemin. Konsiderojmë se duhet një shifër shumë më e lartë e të hollave të ndahet për buxhetin e shtëpive studentore, sidomos për ushqimin e studentëve dhe mjete shtesë edhe për infrastrukturën”,- tha Petar Barllakovski nga Forumi Rinor Arsimor.

FRA: Studentët kërkojnë përmirësim të standardit

Borxhet e shtëpive studentore janë shumë të mëdha dhe të shtresuara me vite, ingerencat janë të kufizuara. Për të përmirësuar kushtet në të cilat jetojnë, studentët kërkojnë ndihmë ku të munden, në institucione shtetërore ose private.

“Shtëpitë studentore nuk kanë shumë ingerenca, ata janë ngushtë të lidhur me MASh-in dhe investimet kapitale zhvillohen përmes MASh-it”,- tha Martina Ilievska nga Forumi Rinor Arsimor.

Studentët thonë se ka korrupsion, por kur vjen puna për ta paraqitur të njëjtin 53% e të anketuarve, thonë se nuk do ta bënin, 89 për qind madje thonë se nuk kanë ide se ku mund ta paraqesin korrupsionin.

“Aktet juridike në sferën e standardit studentor, nuk ofrojnë dispozita për parandalimin e korrupsionit ose për ndonjë procedurë konkrete për kryerësit e korrupsionit”,- theksoi Jovana Gjorgjievska nga Forumi Rinor Arsimor.

Cilësia e jetesës në shtëpitë studentore është vlerësuar me 2.93. Studentët kërkojnë që analizat e tilla të mos bien në vesh të shurdhër, por institucionet të punojnë seriozisht për përmirësimin e standardeve. (Flutura Latifi, TVM2)