Rasti "Zhvatja", Han - Zaev: Askush nuk guxon të amnistohet
Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion nuk ka dalë me asnjë detaj të ri rreth rastit “Zhvatja”....

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion nuk ka dalë me asnjë detaj të ri rreth rastit “Zhvatja”.
Nga Lidhja e Odave Ekonomike alarmuan një ditë më parë se ka edhe biznesmenë të tjerë që kanë paraqitur shantazhe ndaj tyre. Ende nuk është e qartë se sa persona të tjerë janë të përfshirë në këtë rast, përveç dy të dyshuarve kryesorë që tashmë gjenden në paraburgim.
Ka dyshime për përfshirje edhe të prokurorëve apo politikanëve të caktuar, por kryeministri Zaev është i prerë. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Edhe eurokomisioneri Hahn porosit se sundim i ligjit do të thotë dënim për të gjithë ata që e shkelin të njëjtin.
“Rasti "Zhvatja", rasti kundër shitjes joligjore të duhanit, rasti "Shkallët spanjolle" dhe gjitha të tjerat tregojnë luftë të pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, pa marrë parasysh se deri tek kush dërgojnë këto raste, nëse do të çojnë deri tek prokurorë, politikanë, pronarë mediash etj, për cilindo qoftë. Askush nuk do të mund të ikë nga Ligji apo të amnistohet”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
“Askush nuk guxon të amnistohet në gjithë procesin për shkak të paaftësisë për t’u plotësuar afate të caktuara. Kjo duhet të garantohet, kështu ne e shohim sundimin e së drejtës. Presim që pa marrë parasysh se kush është i kyçur në sistemin gjyqësor, duhet patjetër të punojë sipas rregullave dhe kjo ka të bëjë për të gjithë”,- theksoi eurokomisari, Johanes Han.
Pas përhapjes së dyshimeve në opinion për përfshirje të prokurores speciale, Katica Janeva, në rastin “Zhvatja", kjo e fundit ishte kategorike se nuk ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Pranoi se emri i saj është keqpërdorur madje në më shumë raste edhe pse gazetarëve nuk iu lejuan pyetjet për të dëgjuar përgjigjen nëse Janeva e ka paraqitur këtë dyshim për keqpërdorim të emrit në prokurori. Janeva inkurajoi Prokurorinë të zbardhë sa më shpejt këtë rast. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
