Ligji për Prokurorinë e re, Osmani: Prokuroria e re të vazhdojë punën e PSP-së
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, thotë se ekzekutivi është i vendosur të vazhdojë....

Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, thotë se ekzekutivi është i vendosur të vazhdojë fuqishëm deri në tetor reformat edhe pse Komisioni Europian vërtetoi se vendi i ka plotësuar të gjitha kushtet për të marrë datë për bisedime.
Çështja që duhet të rrumbullakohet deri në tetor është Ligji për Prokurorinë Publike dhe këtu, sipas Osmanit, qëndrimet e të gjithëve janë të qarta.
Qeveria ka miratuar Ligjin për Prokurorinë Publike dhe i njëjti është dërguar në Kuvend në një variant parësor, që pritet të pësojë ndryshime gjatë procedurës.
“Duhet të ketë institucion që do të merret me korrupsion të lartë dhe se tjetra është se duhet të vazhdohet ajo që ka nisur nga PSP-ja. Pjesa tjetër në mes këtyre dy vijave të kuqe është çështje kompromisi. Ne si BDI e kemi miratuar këtë ligj, duke u bazuar në këto dy postulate”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
Grubi: Badenter për prokurorin, harmonizim me LPGJ-në
Dy përcaktimet për të cilat BDI këmbëngul janë që drejtuesi i Prokurorisë së re të zgjidhet me badenter dhe që Ligji i ri për Prokurorinë Themelore dhe Këshillin e Prokurorëve, të jenë në pajtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Të dyja këto intervenime kanë të bëjnë me përdorimin e shumicës së dyfishtë në përzgjedhjen e prokurorëve, e në veçanti me prokurorin që do të udhëheq me Prokurorinë e re, e cila fuzionon Prokurorinë për Krim të Organizuar, si dhe Prokurorinë Speciale. Ndërsa intervenimi i dytë do të jetë që të harmonizohen që të dyja këto ligje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që normat e parapara në këtë ligj për gjuhën zyrtare shqipe të reflektohen edhe në këto dy ligje të cilat i ka propozuar Qeveria. Ftoj opozitën shqiptare parlamentare, që të na bashkëngjitet dhe t’i bëjmë këto përpjekje bashkërisht për të përfshirë edhe këto dy elemente në këto dy ligje kyçe sistemore, që rregullojnë punën e Prokurorisë në vend”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Nga BDI këmbëngulin se në këtë përzgjedhje nuk duhet të ndërhyjë politika e nuk shohin asgjë kontradiktore, as në faktin që personi që do të zgjidhet të mund të jetë shqiptar. (Fitim Kryeziu, TVM2)
