Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, PNKOK merr në pyetje 2 kryetarë komunash

26.07.2019 15:30

Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vazhdon marrjen në pyetje të personave....

Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vazhdon marrjen në pyetje të personave, dëshmitë e të cilëve mund të ndihmojnë hetimet rreth rastit “Zhvatja”. Tashmë dëshmi kanë dhënë kreu i komunës së Butelit dhe kryetarja e komunës së Manastirit, njoftojnë nga kjo prokurori. Megjithatë, në interes të hetimeve, nuk jepen sqarime nëse nga këto biseda kanë dalë dëshmi të reja ndaj dy të dyshuarve kryesorë që gjenden në paraburgim.
 
Paralelisht mblidhen edhe dëshmi verbale dhe vazhdojnë procedurat e tjera hetimore. Ekspertiza e materialit nga kontrollet e deritanishme ende vazhdon. Me urdhër të prokurorisë po bëhet ekspertizë edhe ndaj celularit të dytë të prokurores speciale, Katica Janeva, i cili nga kjo e fundit në fillim u paraqit si i humbur po më pas u gjet me arsyetimin se i është dhuruar një të afërmeje të familjes.
 
Nga Prokuroria për Ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit thonë se do të vazhdojnë të informojnë publikun, por gjithnjë me informacione që nuk cenojnë procedurën hetimore.