Maqedoni

LSDM: Kthejmë dinjitetin e punëtorëve socialë

26.07.2019 17:22

Qeveria vazhdon përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e rrogave, vlerësojnë nga LSDM....

Përveç rritjes së rrogave të punësuarve në çerdhe mbi 3 mijë denarë, rriten për rreth 22% rrogat e punëtorëve socialë, thonë nga partia në pushtet. Rritje të re prej 5% paralajmërojnë për në shtator.
 
“Krahas kësaj vjen edhe një rritje tjetër për 5% në muajin shtator, me çka punëtorët në sektorin e mbrojtjes sociale këtë vit do të kenë për 27% rroga më të larta, e që është rritja më e madhe deri më tani. Në këtë mënyrë i motivojmë të punësuarit që në mënyrë akoma më të përkushtuar ta kryejnë profesionin e tyre dhe njëkohësisht e kthejmë integritetin e profesionit punëtor social. Nga ky muaj 3.138 të punësuar në çerdhe dhe 1.170 punëtorë socialë dhe punëtorë tjerë fitojnë rrogë më të mëdha”,- tha Lidia Tasevska nga LSDM.
 
VMRO-DPMNE: Një pjese ua rrisin, të tjerëve ua ulin rrogat
 
Por, nga VMRO-DPMNE këto deklarime i quajnë gënjeshtra dhe manipulime. 
 
“Carovska çdo ditë shkon nëpër çerdhe dhe i gënjen të punësuarit se do t’ua rrit rrogat. Por, nuk dëshiron t’u japë përgjigje të punësuarve të njëjtë se përse në fillim të vitit ua ka ulur rrogat për rreth 900 denarë. Carovska, si shefi i saj Zaev, bëjnë diskriminim të të punësuarve nëpër çerdhet e shtetit. E vërtetë është se ka rritje vetëm për dhënësit e shërbimeve, punëtorët me arsimim të lartë me 240 kredi, kurse ka ulje të rrogave për shërbyesit administrativ - të punësuar me arsimim të lartë m 240 kredi. Për shkak të këtyre gënjeshtrave dhe manipulimeve, Carovska nuk meriton të mbetet ministre e MPPS-së”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 
 
BELINDA KOKA ADEMI