Maqedoni
Riker në Shkup, Riker: Ka përfunduar koha për lojëra të mëdha politike
26.07.2019 17:36
SHBA-të mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në Bashkimin Evropian...

SHBA-të mbështesin fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në Bashkimin Evropian, prandaj inkurajojnë vendin që të vazhdojë me zbatimin e reformave, pa humbur kohë. Funksioni i shtetit ligjor dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta duhet të vazhdojë, me transparencë, për të bindur opinionin vendas dhe miqtë ndërkombëtar se askush nuk është mbi ligjin. Ndihmës-sekretari shtetëror i ShBA-ve, Filip Riker, konsideron se pr/ligji për Prokurorinë Publike është bazë e mirë për të arritur këtë qëllim dhe ftoi opozitën maqedonase që të jetë konstruktive dhe të mos vonojë procesin eurointegrues të vendit.
“Ka përfunduar koha për lojëra të mëdha politike, veçime dhe gjeste të mëdha, si luajtja me perspektivat dhe idetë e qytetarëve. Mesazhi im është i qartë: gjërat duhet të lëvizin përpara në të mirë të vendit. Maqedonia e Veriut po ec përpara për të arritur qëllimet e këtij shteti që zgjasin me dekada, në kontekst të procesit euroatlantik, anëtarësimit në NATO dhe BE. Kjo është qenësore si për procesin po ashtu edhe për vetë qytetarët. Kjo është diçka që qytetarët duan të ndodh dhe koha e opozitës që ta zvarrisë këtë ka përfunduar. Shpresoj se do të kenë qasje konstruktive”,- deklaroi ndihmës-sekretari shtetëror i ShBA-së, Filip Riker.
Zaev: Presim Senati të ratifikojë protokollin
Në frymën e bashkëpunimit në kuadër të deklaratës për partneritet strategjik dhe vlerave të përbashkëta, kryeministri, Zoran Zaev, pret ratifikimin e shpejtë të Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO edhe nga Senati amerikan.
“Deri tani, 21 vende e kanë ratifikuar Protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO, ShBA-të e filluan këtë proces edhe në Senatin e tyre dhe presim që në shtator ose tetor kjo procedurë të mbyllet me sukses. Përkrahja e ShBA-ve për vendin tonë është nxitje e posaçme edhe në aspiratat për anëtarësim në BE. Ne i jemi përkushtuar agjendës reformuese të BE-së dhe kemi adresuar rezultate konkrete në katër fusha, ashtu siç u kërkua në konkluzat e Këshillit të BE-së, në qershor të 2018-s, gjithsesi në bashkëpunim me opozitën”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, ato të migracionit, por edhe bashkëpunimi ekonomik janë me interes të përbashkët, konstatuan diplomati i lartë amerikan, Filip Riker, dhe kryeministri, Zoran Zaev. Riker theksoi gatishmërinë e SHBA-ve dhe nevojën që vendet perëndimore të vazhdojnë përpjekjet për shtete të sigurta dhe prosperuese, përfshi këtu edhe Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin e rajoneve dhe aleancave të fuqishme. ShBA-të janë të interesuara që Marrëveshja e Prespës të zbatohet në tërësi dhe pa ekuivoke dhe për këtë kërkojnë angazhimin e qeverisë së Shkupit dhe asaj në Athinë dhe konstruktivitet të opozitës në vendet përkatëse.
Një ditë më parë, ndihmës-sekretari shtetëror i SHBA-ve, Filip Riker, ka vizituar edhe Athinën zyrtare, për t’i përcjellë qeverisë së re mesazhe të njëjta në kontekst të zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe përkrahjen e Maqedonisë së Veriut në procesin e saj eurointegrues.
SHPËTIM NUREDINI
