Maqedoni
30 ditë paraburgim për Tomorr Morinën
26.07.2019 18:05
Serbia kërkon ekstradimin e ish ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, që u arrestua në vendkalimin kufitar në Bllacë.....

Ndaj tij tashmë është vendosur masa e paraburgimit 30 ditor në bazë të nenit 165, pika e parë e Kodit të Procedurës Penale. Morina kërkohej me fletëarrest nga Interpoli serb si i dyshuar për krime kundër serbëve në vitin 1999. Arrestimi i Morinës shkaktoi tensione në seancën e fundit për pyetje deputetësh.
Deputeti i BDI-së, Ejup Halimi, përkujtoi se Morina është qytetar i Kosovës me pasaportë britanike e fletëarresti i Serbisë nuk ka qenë valid për asnjë nga vendet europiane përmes të cilave ai ka kaluar. Halimi i kërkoi qeverisë të ndërhyjë dhe përkujtoi se dhe në kuvend aktualisht ka deputetë që janë në listën serbe nga koha e Millosheviqit.
“Kemi dhënë betim, edhe sakrifica kemi bërë që të respektojmë ligjin e së drejtës dhe normat ndërkombëtare, kemi sakrifikuar nga vetvetja që vetëm e vetëm vendi të integrohet në strukturat euroatlantike. Dhe tash cilat janë rezultatet nga puna jonë të arrestojmë me kërkesa të Millosheviçit? Ka në këtë kuvend shumë në listën e Millosheviçit”,- theksoi deputeti i BDI-së, Ejup Halimi.
Por, kryeministri Zaev thotë se vendimet gjyqësore i merr gjyqësori dhe politika nuk ka pse të përzihet në punën e prokurorisë.
“Procedura kryhet nga prokurori kompetent dhe për këtë vendos gjykatësi kompetent, as Zaev, as Oliver Spasovski, as Agim Nuhiu dhe askush tjetër nga qeveria”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe Ministria e Jashtme e Kosovës ka kërkuar lirimin e Morinës.
FLUTURA LATIFI
