Maqedoni
Protesta në Shkup, kërkohet zbardhje e rasteve të montuara
26.07.2019 18:16
Në Shkup u mbajt një protestë kundër rasteve të montuara dhe manipulimeve që dëgjohen në audio-përgjimet....

Në Shkup u mbajt një protestë kundër rasteve të montuara dhe manipulimeve që dëgjohen në audio-përgjimet e publikuara në rrjetet sociale nga profili “El Cheka”. Protesta filloi nga sheshi Skënderbeu dhe vazhdoi në qeveri, nga ku u kërkua zbardhje e rasteve të montuara dhe largimi i BDI-së nga skena politike.
“Protestojmë kundër gjykatave të korruptuara, diskriminuese dhe segrekacioniste në skajshmëri. Për këto argumente janë dënimet drakonike kundër shqiptarëve dhe shfrytëzimi i vrimave të Ligjit për t’i mbrojtur joshqiptarët”,- tha Shpëtim Pollozhani nga Shoqata e të Përndjekurve dhe të Burgosurve Politikë.
“Të parashihet me ligj dhe nëpërmjet parlamentit të votohet Ligji për rregullimin e statusit të veteranëve të luftës, ashtu siç është e rregulluar me ligj, ligji për “Branitellat”. Me Ligjin për amnisti të lirohen të burgosurit politik, ish-ushtarët pjesëmarrës në konflikt, përfshirë edhe të burgosurit e rastit të Kumanovës”,- theksoi një protestues.
““Bombat” që i shpalosi “El Cheka” ishin një mesazh për të gjithë popullin shqiptar që të njoftohet se çfarë janë duke bërë shqiptarët pjesëmarrës në pushtet”,- theksoi politikani, Hysni Shaqiri.
Ndërkohë, Blerim Ahmedi - organizatori i protestës, akuzoi se njerëz të afërt të BDI-së e kanë sulmuar fizikisht para fillimit të protestës. Sulmuesi i apostrofuar është Ismet Guri, por ai jo vetëm që hedh poshtë akuzat, po thotë se është sulmuar pas shpine teksa blinte cigare, madje është rrëzuar pa ndjenja. Guri thotë se policia ka ndërhyrë për ta mbrojtur nga turma e më pas është dërguar edhe në spital.
ERSAN PAJAZITI
