Botë

Dialogu Prishtinë-Beograd, Hahn: Të presim qeverinë e re të Kosovës

26.07.2019 18:21

Komisioneri i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, nga Beogradi ka shprehur pritshmëritë.....

Komisioneri i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, nga Beogradi ka shprehur pritshmëritë e tij për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd, pas zgjedhjeve të shtatorit, kur Hahn pret ndryshim të gjendjes politike në Kosovë. Pas takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, Hahn tha se dialogu është element kyç për përparimin e mëtejshëm të të gjithë rajonit dhe theksoi domosdoshmërinë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.
 
"Situata është e qartë, në bazë të paralajmërimeve së shpejti do të ketë zgjedhje të cilat do ta ndryshojnë situatën politike në Kosovë. Kjo do të na mundësonte vazhdimin e dialogut politik, për çka nevojiten dy palë. Shpresoj se të dyja palët, ashtu si të gjithë në BE, presin që dialogu me të vërtetë do të ndodhë. Shpresoj se kjo do të ndodh ashtu siç është paralajmëruar, në shtator",- tha komisioneri i BE-së për zgjerim, Johanes Hahn.
 
Haradinaj mbledh qeverinë, kërkon mendim nga Gjykata Kushtetuese
 
Por, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrja serbe, Bërnabiç, vazhdojnë të insistojnë në heqjen e taksës për mallrat serbe të vendosura nga qeveria Haradinaj, e cila aktualisht është në dorëheqje. Vetë Haradinaj nuk ka ndërmend në këtë periudhë të lejojë vakuum qeverisës në Kosovë dhe mblodhi këtë të premte qeverinë në një takim. Megjithatë në të nuk u diskutuan pikat e rendit të ditës, mirëpo çështja nëse kryeministri i dorëhequr ka të drejtë të mbajë mbledhje dhe të marrë vendime në të. Haradinaj ndërpreu mbledhjen duke kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të qartësojë situatën.
 
“Unë nuk thërras më mbledhje të Qeverisë, u propozua një konsultë politike, por konsulta politike mund të zgjidh ndonjë mospajtim politik, por nuk është pastaj mbulesë ligjore dhe nuk mundem pa mos e marrë garancinë e Gjykatës Kushtetuese të vazhdojë, megjithëse unë kam besuar se duhet ta vazhdoj Qeverisjen për shumë arsye, por në rrethanat e krijuara të vetmen mënyrë e kam ta marr mendimin e Gjykatës Kushtetuese”,- theksoi kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj.
 
Paraprakisht, opozita kundërshtoi ashpër mbledhjen e Qeverisë. Vetëvendosjes thotë se çdo vendim që do të merret nga Qeveria do të kontestohet. 
 
GYLTENE SINANI