Koalicioni LDK-AAK-Nisma, arrin marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje
Koalicioni i bllokut opozitar, LDK-AAK-Nisma, mesditën e sotme do të bëjë publike marrëveshjen me LëvizjenVetëvendosje..........

Ndërkohë, deri tani flitet që bisedimet me Serbinë do të udhëhiqen nga kryeministri, kurse ato teknike nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se në marrëveshjen me bllokun LDK-AAK-Nisma, me udhëheqjen nga VV të dialogut me Serbinë, do të ndryshojë qasja ndaj Kosovës. Ai kritikoi edhe një herë dialogun e zhvilluar deri më tani, duke thënë se “Kosova nisi bisedimet pa fusnotë, e doli me fusnotë” dhe se arriti një marrëveshje “garant i së cilës është Ivica Daçiç”. Sipas tij, qëllimi i Vetëvendosjes është që të ndërrojë krejtësisht kursin e dialogut, që mos të ketë dialog pa kushte.
Marrëveshjen e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizjes Vetëvendosje e ka konfirmuar dje kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se VV do të jetë një partner në ndërtimin e institucioneve. Ndërsa nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për ndarjen e posteve me Vetëvendosjen, duke thënë se kur të nënshkruhet marrëveshja do të diskutohet për një gjë të tillë.
Marrëveshja do të bëhet publike në ambientet e Kuvendit të Kosovës, konkretisht në Sallën e Grupit Parlamentar të LDK-së, në orën 13:00.