Rasti “Zhvatja”, nuk dihet nëse PTHP do të zgjerojë hetimin

29.07.2019 13:44

Prokuroria Themelore Publike ende nuk ka dalë me informacione zyrtare...

Prokuroria Themelore Publike ende nuk ka dalë me informacione zyrtare  nëse do të ketë zgjerim të hetimeve sa i përket informacioneve të fundit për “asgjësim forezentik” eventual të materialeve dëshmuese nga kompjuterët e PSP-së, që, sipas disa mediave, është bërë me kërkesë të kryeprokurores në largim, Katica Janeva.

Nga Prokuroria Themelore Publike deri në këto momente nuk zbulojnë detaje nëse kanë hapur ose jo procedurë parahetimore dhe se si do të veprojnë në të ardhmen për këtë rast. Nuk dihet nëse këto të fundit kanë ndonjë lidhshmërie eventuale me rastin “Zhvatja” dhe nëse “asgjësimi forezentik” i të dhënave është proces i paraparë me ligj pas dëgjimit të materialeve. Ditë më parë, PSP përgënjeshtroi informacionet në opinion se janë dhënë urdhra për shkatërrimin e materialeve dhe provave nga kompjuterët e prokurorëve speciale. Nga PSP thonë se të gjitha aktivitetet që ndërmerren në vazhdimësi janë në drejtim të ruajtjes së materialeve dhe dëshmive, e jo për shkatërrimin e tyre dhe në asnjë mënyrë, asnjë prej të punësuarve nuk do të lejonte që dikush të vë nën rrezik të njëjtat.

VMRO-DPMNE ditë më parë kërkoi nga Prokuroria hetim më të zgjeruar jo vetëm për këtë rast edhe për rastin “Zhvatja”, si dhe për të gjitha rastet e tjera ku pretendohet se ka krim dhe korrupsion. VMRO kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme që materialet dëshmuese dhe lëndët e PSP-së të transferohen në Prokurorinë Themelore Publike, për procesuim të mëtejmë.

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, dha dorëheqje nga funksioni, të njëjtën ditë kur Prokuroria e Përgjithshme Publike publikoi rastin “Zhvatja”, ku të dyshuar kryesorë janë Bojan Jovanovski dhe Zoran Mileski-Kiçeec, që gjenden tashmë në paraburgim. Hetimet e prokurorisë synojnë të vërtetojnë nëse ka ndonjë lidhje mes kryeprokurores speciale Janeva me dy të dyshuarit parësorë, pra nëse ajo në rastin “Zhvatja” është e keqpërdorur ose e involvuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. (Rexhep Qamili, TVM2)