Maqedoni
Platforma kombëtare për zvogëlimin e rreziqeve: Nevojiten reforma në sistemin e menaxhimit të krizave
29.07.2019 16:49
Në sistemin për menaxhim me kriza në RMV nevojiten reforma urgjente për shkak të mosfunksionalitetit...

Në sistemin për menaxhim me kriza në RMV nevojiten reforma urgjente për shkak të mosfunksionalitetit, koordinimit të dobët dhe joprofesionalizmit, u tha në debatin mbi Platformën kombëtare për zvogëlimin e rreziqeve nga fatkeqësitë dhe katastrofat.
Panelistët në tribunë theksuan se kjo Platformë është dokument i cili në mënyrë sistematike i inkurajon dhe i detyron institucionet relevante që të veprojnë në mënyrë më të organizuar dhe më efikase.
“Po ndërtojmë një sistem ku parandalimi dhe paralajmërimi i hershëm janë gjëra kyçe dhe në këtë drejtim është e rëndësishme që për një katastrofë të mundshme, me kohë të jenë të informuar bartësit kryesorë të sistemit për kriza, por edhe qytetarët”,- theksoi koordinatori nacional për implementimin e platformës, Pavle Trajanov.
Instituti për Inxhinierinë e Tërmeteve kërkon të krijohet një bazë e të dhënave të ndërtesave në vend, ndërsa fakulteti për siguri kërkon nga shteti ridefinimin e disa institucioneve.
“Për të ndërtuar një sistem në të cilin do të keni një vlerësim të shpejtë të dëmeve të mundshme dhe në të cilat mund të simuloni skenarë të ndryshëm, qofshin fatkeqësi natyrore apo edhe sulme terroriste, do të keni një pasqyrë të shpejtë të asaj që mund të prisni nga katastrofa të tilla të mundshme”,- u shpreh drejtori i Institutit për inxhinierinë e tërmeteve, Vllatko Sheshov.
“Ne kemi një ndarje të panatyrshme institucionale që rezulton në ndërthurjen e përgjegjësive ndërmjet Qendrës për menaxhim të krizave dhe Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim. Prandaj është e nevojshme të ripërcaktohet urgjentisht sistemi për menaxhim me krizat dhe mbrojtje dhe shpëtim, duke unifikuar këto dy institucione”,- tha profesori, Marjan Gjurovski.
Maqedonia e Veriut viteve të fundit është përballur me katastrofa, siç ishin përmbytjet në lagjen Hasanbeg të Shkupit në vitin 2016 apo tërmetet, ku institucionet kanë pasur mundësinë të shohin gjërat pozitive, si dhe mangësitë në funksionimin e tyre. Reformat në sistemin për menaxhim me kriza deri në fund të vitit duhet të mbarojnë.
REJHANE BUSHI-METAJ
