Maqedoni

Zaev: Nuk ka anulim të regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi, konform standardeve të EUROSTAT-it

29.07.2019 17:30

Nuk do të ketë anulim të regjistrimit për vitin 2021 dhe i njëjti do të realizohet konform standardeve të EUROSTAT...

Nuk do të ketë anulim të regjistrimit për vitin 2021 dhe i njëjti do të realizohet konform standardeve të EUROSTAT, u përgjigj kryeministri, Zoran Zaev.
 
Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë dhe se palët duhet t’i japin dritë jeshile miratimit të ligjit në Kuvend. Në bazë të informatave të cilat i posedon kryeministri, Enti Shtetëror i Statistikave deri më tani nuk ka marrë asnjë vërejtje thelbësore nga ana e opozitës sa i përket realizimit të procesit.  
 
“Punët janë të qarta, vetëm duhet që të ulemi dhe t’i japim kahje pozitive, sepse edhe pilot projekti i realizuar kaloi me sukses. Nuk ka anulim. Tani vetëm pritet që ligji të kalojë në Kuvend, për t’u bërë furnizimi me kompjuterë.  Regjistrimi në terren do të realizohet nga 1 prilli deri më 30 prill vitin e ardhshëm. Përfundimisht regjistrim të popullsisë do të ketë vitin e ardhshëm. Nëse regjistrimi do të mbahej në vitin 2011, ndoshta do të kishte bazë që i njëjti të anulohet për vitin 2021, por kjo nuk ndodhi”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
 
Kryeministri Zaev shtoi se gjatë dy viteve të fundit rregullisht i marrin të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme, përmes të cilave qartë dihet se cili qytetar në cilin moment është më tepër se dy vite  jashtë shtetit.
 
“Amvisëritë të cilat do t’i nënshtrohen regjistrimit janë të gjitha ato që jetojnë këtu, apo janë shpërngulur nga vendi jo më shumë se një vit. Të gjitha familjet të cilat më shumë se një vit gjenden jashtë shtetit regjistrohen, por nuk hyjnë në grafën e amvisërive, do të regjistrohen si diasporë, si amvisëri, apo qytetar i cili jeton jashtë shtetit”,- theksoi Zaev.
 
MERITA GASHI