Maqedoni

28 kandidatë për AShAAV, 18 për KP të RTM-së, mendim do të japë edhe Anti-korrupsioni

29.07.2019 17:46

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërime pranë Kuvendit njëzëri vendosi që të kërkojë mendimin e Komisionit Kundër Korrupsionit...

Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërime pranë Kuvendit njëzëri vendosi që të kërkojë mendimin e Komisionit Kundër Korrupsionit për të gjithë kandidatët që janë paraqitur për anëtarë të ri të Agjencisë së Mediave dhe Këshillit Programor të RTM-së nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me Ligjin për konflikt të interesave.
 
Pavarësisht nga mendimi i Antikorrupsionit, të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen debatit publik për përzgjedhjen e tyre.
 
“Për disa pozita të caktuara kemi në mënyrë indirekte  bashkëshorte në organe drejtuese të RTM-së apo në program të radios, apo në portal ku mund të reklamohet. Pra, ka raste të tilla, prandaj duhet me përgjegjësi ta marrim obligimin. Nuk është obligim i imi të them se kush i plotëson kushtet e kush jo, këtë e ka për obligim komisioni. Ka persona të cilët në mënyrë indirekte janë me interes në kompani tjera ku realizohet reklamim apo prodhohet program”,- tha kryetari i Komisionit, Ilija Dimovski.
 
“Ligji është i qartë, ka disa norma sipas të cilave personat të cilët konkurrojnë duhet t’i plotësojnë kriteriumet e caktuara dhe unë këtu do të përfundoja. Ne si komision, sipas ligjit, kemi obligim të organizojmë debat publik ku të gjithë kandidatët do të prezantojnë programin  e tyre. Ndërsa për pjesën teknike në të cilën ju thirreni e që është i ligjshëm, është punë e komisionit kur do të marrë vendimet. Mendoj se kur t’i marrë vendimet, komisioni do të thirret në normat e ligjeve të caktuara dhe do të shohim gjatë vendimeve nëse i përmbushin kushtet apo jo”,- theksoi Goran Misoski nga PRSD.
 
Për anëtar të ri të Agjencisë së Mediave janë paraqitur 28 kandidatë, ndërsa për Këshillin Programor të RTM-së 19 kandidatë, nga të cilët një nuk i plotëson kushtet. 
 
NAIM RAMADANI