Maqedoni

Dorëheqja e Vesel Memedit para deputetëve, pozitat bosh përplasën pushtetin dhe opozitën

29.07.2019 18:03

Mosmarrëveshje pozitë - opozitë, shkaktoi largimi i Vesel Mehmetit nga pozita e deputetit...

Mosmarrëveshje pozitë - opozitë, shkaktoi largimi i Vesel Mehmetit nga pozita e deputetit, në raport  me faktin se kush do ta zëvendësojë atë në punën e komisioneve, ku ka qenë si anëtar.
 
Në seancën e sotme të Komisionit për çështje të emërimeve dhe shkarkimeve, deputeti i BDI-së, Ejup Halimi, ka thënë se vendet e zbrazëta në trupat kuvendorë duhet të zëvendësohen me deputetë të saj.
 
“Përfaqësimi i Aleancës me tre deputetë, ku janë të shpërndarë në më shumë se 7 apo 8 komisione, me ata dy deputetë të ASh-së dhe së bashku me Vesel Mehmetin, keni qenë të përfshirë diku rreth 11 komisione. Dhe nëse shihet këtë që tha tani kolegu, Ilia Dimovski, në bazë të rregullores së Kuvendit, ju me tre deputetë në opozitë u takon të jeni të përfshirë në punën e 2,5 për qind të punës së komisioneve, ndërsa ju tani jeni në shumë se 5 për qind në punën e komisioneve”,- tha deputeti i BDI-së, Ejup Alimi.
 
Ka reaguar deputeti i ASh-së, Surija Rushiti, ai tha se Vesel Memedi pozicionet në Kuvend i ka marrë si deputet i ASH-së dhe vendet e tij i takojnë deputetes që e zëvendëson Mehmedin, Arta Toçit.
 
“Vesel Mehmeti ka qenë i autorizuar që të marrë pjesë në punën e këtyre komisioneve nga ASh dhe gjitha vendet që i ka marrë ASh, kanë qenë të dhënë ASh-së. Në bazë të kësaj logjike dhe përvojës së deritashme, këtu mendoj se nuk ka kurrfarë dileme dhe anëtarët e këtij komisioni duhet ta mbështesin kërkesën tonë, që vendet që i kanë takuar Vesel Mehmetit, t’i takojnë deputetes, Arta Toçit, dhe përsëri të mbeten në kuadër të ASh-së”- theksoi deputeti i ASh-së, Surija Rushiti.
 
Debati u nxit edhe më shumë kur deputeti nga radhët e BDI-së, Ejup Halimi, e përmendi rastin e Lëvizjes Besa e cila funksiononte si pjesë e një grupi parlamentar edhe pas ndarjes së tyre në dy pjesë. Deputeti i Besës, Fadil Zendeli, akuzoi Vesel Memedin si pjesë e BDI-së.   
 
“Mandatet e vjedhura nuk mund të jenë mandate tuaja dhe ato janë mandate të partisë Besa, në bazë të rezultateve të cilat në zgjedhjet e vitit 2016, edhe tre deputetët e larguar nga Lëvizja Besa vazhdojnë t’i mbajnë ato pozicione të cilat realisht i takojnë deputetëve të Lëvizjes BESA. Prandaj ju, z. Alimi, nuk është mirë që ta dezinformosh opinionin me gjëra të tilla. Mandatet që edhe ju i keni humbur, i keni humbur, dhe nuk ka nevojë të hidhëroheni që tani ju iku edhe Vesel Mehmeti dhe ky është problemi juaj”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
 
Kjo çështje nuk u mbyll në këtë seancë. Deputeti i BDI-së, Ejup Alimi, kërkoi që në ditët në vijim të ulet me përfaqësuesit e ASh-së dhe të diskutojnë për gjetjen e zgjidhjes.     
 
FITIM KRYEZIU