Maqedoni
Ligji për Prokurori Publike, grupet e punës u rikthehen bisedimeve. Zaev: Ligji s’duhet kushtëzuar me zgjedhje të parakohshme. Stoillkovski: Takim liderësh, zgjedhje të parakohshme
29.07.2019 18:18
Në qeveri rinisën bisedimet e grupeve të punës për Ligjin për Prokurori Publike...

Në qeveri rinisën bisedimet e grupeve të punës për Ligjin për Prokurori Publike në drejtim të përafrimit të qëndrimeve midis pushtetit dhe opozitës.
Dakordim është arritur rreth financimit të Prokurorisë Publike dhe për përgjegjësi më të madhe të prokurorëve.
“Këtu kemi përafrim të qëndrimeve në pjesën e rritjes së buxhetit që ka pasur prokuroria për mbarë prokurorinë në vend, me qëllim të arritjes së pavarësisë më të madhe si organ. Në këtë drejtim të gjejmë edhe modalitete për përgjegjësi më të madhe të të punësuarve dhe vetë prokurorëve”,- tha zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski.
Në takim nuk është folur se kush duhet ta drejtojë Prokurorinë për krim të organizuar, ku do të përfshihej edhe PSP.
“Në takim u dakorduam që mos të japim komente shtesë që të ruajmë besueshmërinë që sot u ndërtua. Hapëm çështjet ku kishim qëndrime të përafërta me shpresën se në takime të tjera do të përafrojmë qëndrimet edhe në tema të tjera”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Takimi i radhës pritet të mbahet para festës së Ilindenit. Paraprakisht kryeministri, Zoran Zaev, deklaroi se janë duke shqyrtuar propozimin e partisë së Mickovskit, por nuk dha komente në interes të procesit negociues.
Kreu i ekzekutivit tha se janë pranuar një numër i madh i propozimeve të opozitës dhe se miratimi i ligjit nuk duhet kushtëzuar me zgjedhje të parakohshme.
“Me një ligj të tillë nuk duhet të kushtëzohen zgjedhjet e parakohshme. Ne nuk jemi për zgjedhje të parakohshme, pasi janë në dëm të shtetit. Këto shifra ekonomike me tendencën për rritje, t’i lëmë në sirtare, në arkiv dhe të vrapojmë në zgjedhje? Jo, do të ishim laik të shkatërrojmë gjithë këtë periudhë të papërsëritshme për shtetin dhe të shkojmë në zgjedhje”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Me gjithë takimet e grupeve të punës, nga VMRO insistojnë që kjo të definohet në takim liderësh ku do të caktohej data për zgjedhje të parakohshme.
“Nuk mund të ketë takim liderësh para se pushteti dhe opozita të përafrojnë qëndrimet në përpilimin e një ligji. Edhe nëse vjen deri tek përafrimi i qëndrimeve, ne megjithatë mbetemi në qëndrimin se duhet të ketë takim liderësh ku do të bisedohej për zgjedhje të parakohshme parlamentare”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Nga VMRO-DPMNE akuzojnë Ruskoskën për kufizim të hetimeve për rastin “Zhvatja” me dy të dyshuar. Nga partia e Mickovskit kërkojnë që hetimi të zgjerohet. Kryeministri Zaev nuk komentoi informacionet se Katica Janeva ka kërkuar fshirje forenzike të kompjuterëve, por kërkoi nga institucionet që të vazhdojnë hetimet.
Në prokurori ende po bëhet ekspertizë e celularit të Janevës. Nga ky institucion nuk japin informacione se çfarë është zbuluar nga ekspertiza e telefonit të parë.
MERAL ISMAILI
