Maqedoni

Qeveria: Do të investohen 5 miliard euro në infrastrukturë

29.07.2019 18:33

Qeveria paralajmëroi investime në vlerë prej 5 miliard euro në infrastrukturë...

Edhe përkrah të dhënave nga Ministria e Financave se për 6 muajt e parë janë harxhuar 1 e 5 e mjeteve të destinuara për investime kapitale, kryeministri Zaev është optimist se në 6 mujorin e dytë shuma e shfrytëzuar do të kalojë 80 përqindëshin e mjeteve të destinuara për investime kapitale. 
 
“Pjesa ndërmjet 90 dhe 100 përqindëshit që nuk do të harxhohet do të bëhet hulumtim dhe do t’i alokojmë ato mjete në vende ku ka nevojë ndoshta dhe në gazifikim do të alokohen këto mjete. Besoj që investimet kapitale do të vazhdojnë të jenë përkrahja më serioze për ekonominë për atë se investimet kapitale janë investime të cilat japin rezultate të duhura për një ekonomi të shëndoshë. Numrat na japin të drejtë për të qenë optimistë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Kryeministri Zaev, bazuar në raportin e Organizatës Botërore të Tregtisë, vlerëson se politikat ekonomike kanë dhënë rezultatin e duhur. Në raport vërehet rritje e BPV-së, paga më të larta, rritje të investimeve, rritje të besueshmërisë dhe se papunësia është ulur. 
 
Ministri Bekteshi ndërkohë thotë se për kompanitë mundësi të mirë do të kenë në fund të vitit kur vendi do të bëhet anëtare e furnizimeve publike e Organizatës Botërore të Tregtisë. 
 
“Do t’u jepet mundësi kompanive vendore që të marrin pjesë në furnizimet publike ku bëjnë pjesë 35 vende dhe kjo do të jetë sfidë për kompanitë në vend, pasi që do të përballen me treg më të madh”,- u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Qeveria nga Organizata Botërore ka marrë dhe rekomandime që në të ardhmen të përqendrohet në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe  luftën kundër ekonomisë gri.
 
GAZMEND REXHEPI