Botë
Moti i keq në Shqipëri, dy persona humbën jetën në bregdetin shqiptar
29.07.2019 18:48
Ndryshimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike ka shkaktuar një bilanc tragjik 24-orëshin e fundit në bregdetin shqiptar...

Dy persona janë mbytur, por fatmirësisht 24 të tjerë janë shpëtuar, duke parandaluar rëndimin e këtij bilanci.
Tragjedia e parë është shënuar në Gjirin e Lalëzit në Durrës, ku një 33-vjeçar ka humbur jetën pasi është rrënuar me motorin e ujit ku po lundronte.
Për shkak të shpejtësisë së lartë të mjetit lundrues, ai është rrëzuar dhe për pasojë është mbytur.
Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në plazhin e Durrësit, ku një pushuese rreth 50-vjeç është mbytur. Viktima sapo është futur në det për t’u larë, është ndjerë keq.
Pushuesit e tjerë e kanë dërguar atë në spital, por 50-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë. Shkak sipas bluzave të bardha dyshohet të jenë bërë problemet shëndetësore pasi viktima vuante nga zemra.
Ndërsa në Velipojë të Shkodrës, është shmangur një bilanc tjetër tragjik. Policia kufitare në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, u kanë ardhur në ndihmë 5 shtetasve shqiptarë dhe 9 çekëve të cilët rrezikuan të mbyteshin në lagunën e Rrjollit.
Rojet bregdetare në plazhin e Velipojës kanë shpëtuar një grup tjetër prej 7 personash të cilët rrezikuan të përpiheshin nga dallgët.
Gjithashtu, në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një pushues, i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit.
Nga ana tjetër, një pushuese nga Kosova dhe një 9-vjeçare u shpëtuan nga rojet bregdetare, përkatësisht në Velipojë dhe në plazhin e ujit të ftohtë në Vlorë.
Sipas sinoptikanëve, të martën pritet që temperaturat t’i rikthehen normalitetit për stinën.
LULJETA NDOKA
