Maqedoni
Përplasje për marrjen e kompetencave në arsim, Taravari: kërkojmë të respektohet ligji. MASh: Është vendim i Komisionit të shkallës së dytë
29.07.2019 19:12
Përplasje e sërishme mes kreut të komunës së Gostivarit, Arben Taravarit, dhe MASh-it...

Përplasje e sërishme mes kreut të komunës së Gostivarit, Arben Taravarit, dhe MASh-it, lidhur me emërimet dhe shkarkimet e drejtorëve të shkollave të mesme në komunën e Gostivarit. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për mosrespektimin e ligjit.
"Inspektorati shtetëror i arsimit, me iniciativë të drejtorëve të cilëve iu është shpallur nul aktvendimi, ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme në të gjitha shkollat e Gostivarit dhe ka sjellë dy udhëzime kontradiktore njëri me tjetrin, te Shkolla “Ismail Qemali” ka konstatuar se nuk është hasur asnjë shkelje nga ana e kryetarit të Gostivarit, ndërsa për të njëjtin aktvendim te një shkollë tjetër ka sjellë aktvendim për të ndërmarrë veprime të caktuara konkrete. Pra, e gjithë kjo procedurë e përshpejtuar nga Inspektorati shtetëror i arsimit për të ardhur deri te marrja e kompetencave për së dyti herë kryetarit të Gostivarit, është kryesisht për qëllime politike, pa pasur asgjë për bazë",- tha Shkëlqim Veseli nga Shërbimi Juridik - komuna e Gostivarit.
Kryetari i komunës, Arben Taravari, kërkon respektim të ligjit. Tha se ministri i Arsimit ka sjellë vendim për t’i marrë atij kompetencat pa vendim të Komisionit të shkallës së dytë për vendosje në procedurë administrative dhe procedura nga marrëdhënia e punës.
“Unë i propozova edhe këtij edhe atij së bashku kur ishin, që mos të bëjmë pazare, më merrni ingerencat e komunës së Gostivarit jepuani BDI-së, nuk më mbetet tjetër gjë përveç në qoftë se shkojmë ta respektojmë ligjin, Shkëlqimi i lexoi të gjitha ligjet, ato të cilat ai i ka shkarkuar tash i emëruan nga po i njëjti ministër, nuk di si të veprojmë”,- theksoi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
Në reagimin e lëshuar nga MASh thuhet se pas inspektimit të kryer nga Inspektorati i Arsimit, janë vërejtur një numër i parregullsive dhe mosrespektim i ligjeve nga ana e kryetarit të komunës së Gostivarit në procedurat për shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve të shkollave.
"Arsimi është një sferë në të cilën politika nuk duhet të involvohet dhe të shkaktojë dëme në procesin e shkollimit të nxënësve. Institucionet arsimore duhet të kenë drejtues të cilët nuk do të lejojnë në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë të dëmtohet procesi arsimor dhe edukimi i nxënësve. Prandaj, MASh në përputhje me kompetencat e marra komunës së Gostivarit, si dhe duke respektuar dhe vepruar sipas vendimeve të Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurën Administrative dhe Procedurën e Marrëdhënieve të Punës në shkallë të dytë, me të cilat janë miratuar ankesat e drejtorëve të shkollave të Gostivarit të shkarkuar në mënyrë të paligjshme, ka marrë vendimet për kthimin e tyre në pozitat e punës nga të cilat janë shkarkuar në mënyrë të paligjshme",- theksojnë nga MASh.
MASh është e detyruar të respektojë vendimet ligjore dhe të veprojë në përputhje me të njëjtat, që do të thotë se vendimet e marra janë konform vendimeve të Komisionit të shkallës së dytë.
GYLTENE SINANI
