Botë

Kosovë, Haradinaj kërkon interpretim të kompetencave

29.07.2019 20:07

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës...

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës të bëjë interpretimin e dorëheqjes së tij të deponuar më 19 korrik, si dhe për funksionimin e mëtejmë të qeverisë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Haradinaj edhe një herë ka ritheksuar se përmes kërkesës kërkon nga Gjykata që të japë mendim juridik për situatën e krijuar në rrethana të reja.

Ish kryeministri Haradinaj konsideron se përgjegjësia e tij nuk ndërpritet me dorëheqjen, sepse deri në përfundimin e zgjedhjeve të parakohshme qeveria duhet të funksionojë në bazë të një kornize ligjore dhe kushtetuese.

Njëkohësisht kryeministri Haradinaj i bën thirrje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që Parlamenti i Kosovës dhe  partitë politike t’i ndërmarrin të gjitha aktivitetet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Kosova zgjedhjet e parakohshme do të mund t’i mbajë më së voni më 8 tetor. Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, deponoi dorëheqjen e tij të parevokueshme, sepse të njëjtit iu bë ftesë për bisedë informative nga Dhoma speciale e Hagës për krime lufte në vitet 1998/ 2000.