SHBA, sonte strategjia për luftën kundër ISIS-it
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka të gjithë autoritetin e nevojshëm për të zgjeruar veprimet ushtarake kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, pa pasur nevojë për miratimin e Kongresit........

E megjithatë, ai ende do ta pyet Kongresin për të miratuar furnizimin me armë të forcave opozitare siriane. Obama, pritet të mbajë një fjalim sonte, në të cilin do të përshkruajë strategjinë e tij kundër IS-it.
Janë tre faza të bëra publike. Bombardime masive mbi vendndodhjen e militantëve të ISIS-it, me qëllim stopimin e marshimit të tyre kundrejt ushtrisë irakiane dhe kurdëve të Peshmergas. Deri tani janë kryer mbi 150 bombardime nga ana e amerikanëve. Embargo totale kundrejt naftës së territoreve të pushtuara nga ISIS-i dhe dërgimin masiv të mjeteve ushtarake për armatën irakiane, kurdët, luftëtarët sunit në perëndim të Irakut, me qëllim që Shteti Islamik të zmbrapset nga Iraku. Qëllimi është shkatërrimi i ISIS-it në territorin sirian, por në asnjë mënyrë nuk do ketë bashkëpunim me diktatorin Assad. Andaj, kjo do të zgjasë deri në tre vjet, atëherë kur edhe Obama s’do të jetë më president.
Ajo që bie në sy nga programi i presidentit amerikan është se nuk do dërgohen trupa tokësore në rajonet e prekura nga ISIS-i. Obama, gjithashtu ka premtuar edhe fitoren në fund. Përkundër kësaj, sipas një ankete nga CNN, 76% e amerikanëve nuk e aprovojnë sulmin ajror kundër ISIS-it. Në kohën kur Obama përgatit strategjinë, mediet e Lindjes se Mesme raportojnë se El Bagdati edhe tre udhëheqës të lartë të ISIS-it janë vrarë pas sulmeve ajrore të forcave amerikane. Por, ky lajm ende nuk është konfirmuar nga pentagoni.
Zëdhënësi, Steve Warren, thotë madje se El Bagdati nuk ka qenë shënjestër e sulmeve amerikane. Muajin e kaluar, militantët e ISIS-it ekzekutuan me prerje koke dy gazetarë amerikanë, në shenjë proteste kundër sulmeve ajrore amerikane ndaj tyre në Irak.
Lëvizjet e Obamas vijnë në kohën kur sekretari i Shtetit, John Kerry, udhëton drejt Lindjes së Mesme, në një përpjekje për të formuar mbështetjen rajonale për një koalicion luftues ndaj ISIS-it.
Arabia Saudite do të organizojë bisedimet mes Kerryt dhe zyrtarëve të tjerë nga 10 shtete arabe, si dhe Turqia.
Ndërkohë, ambasadori saudit në Londër, princi Mohammed bin Nazaf, refuzoi sugjerimet se Qeveria e tij ishte duke mbështetur apo financuar Shtetin Islamik, duke thënë se Arabia Saudite është objektivi kryesor i grupit të militantëve dhe jo nxitësi i tyre. (Farije Dauti-Bakiu,TVM2)