Vazhdojnë përmbytjet në Pakistan
Vazhdon të rritet numri i viktimave nga përmbytjet në Pakistan. Vërshimet shkatërruan mijëra shtëpi dhe pjesë të mëdha të tokës bujqësore.......

Ujërat kanë përmbytur 1.457 fshatra në disa rrethe të Punjabit dhe Kashmirit, ku vdiqën 231 njerëz dhe u lënduan mijëra të tjerë.
Lumi Chenab, gjatë fundjavës rriti nivelin e tij në mënyrë dramatike, ujërat fundosën mijëra shtëpi, shkaktuan rrëshqitje të tokës, duke dëmtuar rrugët dhe linjat e energjisë elektrike, si dhe la pa ujë të pijshëm këtë rajon.
Në vendet të cilat po përballen me këtë gjendje katastrofave natyrore, është shpallur situatë emergjente.
Kryeministri, Navaz Sharif, pasi vizitoi këtë pjesë të goditur nga vërshimet, tha se kjo është përmbytja më e madhe në Punjab që nga viti 1972.
“Qeveria dëshiron që me vullnetin e Zotit t’iu japim mbështetje të plotë në rindërtimin e shtëpive tuaja dhe zgjidhjen e problemeve tuaja. Ne do të qëndrojmë me ju dhe nuk tërhiqemi. Ne do të shpenzojmë çdo gjë që është e nevojshme, pa marrë parasysh sa e madhe është shuma"- deklaroi kryeministri i Pakistan, Navaz Sharif.
Ekipet e shpëtimit raportojnë për pritje të vërshimeve të reja në 24-48 orët e ardhshme dhe parashikim të përmbytjeve edhe më të mëdha.
Janë duke u marrë masat e nevojshme për evakuimin e banorëve, si dhe mbrojtjen e tokave të tyre nga ana e ekipeve të shpëtimit, si dhe ushtrisë së vendit, përveç në pjesët ku banorët kanë refuzuar të lëshojnë vendet e tyre. Ndërsa burimet zyrtare theksojnë se ata janë të detyruar të largohen për shkak të paralajmërimeve të reja për përmbytje të mëdha. (Leunora Kaliqi, TVM2)
