Maqedoni
Vetingu në MPB, Spasovski: Më 20 gusht formojmë grupin e punës
31.07.2019 16:39
MPB më së voni deri më 20 gusht të këtij viti duhet të formojë Grup punues me detyrë që të hartojë Propozim-plan të masave...

MPB më së voni deri më 20 gusht të këtij viti duhet të formojë Grup punues me detyrë që të hartojë Propozim-plan të masave, aktiviteteve dhe dinamikë për zbatimin e procesit të vetingut për efektivët e policisë. Ministri Spasovski pret një proces të suksesshëm.
“Po punojnë komisionet në këtë drejtim. Ne jemi të angazhuar nga qeveria që deri më 20 gusht që të formohet një grup i posaçëm, i cili do të zbatojë kontrollin, të përpilojë plan aksionar, të dorëzohet deri te qeveria me veprime konkrete dhe afate dhe në bazë të këtij plani aksionar nga 20 gushti do të dimë se si do të rrjedhin hapat lidhur me procesin e vetingut. Unë pres që të kemi një proces të suksesshëm i cili do t’i përmbush pritjet e qytetarëve”,- tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
Vetingu, sipas Spasovskit, ka për qëllim kontrollimin e efektivëve të policisë me qëllim që efektivët që e meritojnë të jenë pjesë e këtij dikasteri, ashtu siç duan qytetarët.
“Unë dëshiroj që të kontrollojmë dhe çdonjëri që meriton të jetë pjesë e policisë, të punojë në interes të qytetarëve dhe të jenë efektivë policie, ashtu siç ju qytetarët dëshironi. Të dinë të sillen mirë, të dinë se interesi i qytetarëve dhe shtetit është i pari, ta dinë se nuk mund të jetë efektiv policie dhe biznesmen në të njëjtën kohë dhe nuk mund të sillet ndryshe nga normat që parashikojnë sjelljen e një polici”,- theksoi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
Plani aksionar do të parashikojë mënyrën e zbatimit të vetingut afatet e zbatimit dhe fushat që do të përfshihen, sqaroi Spasovski.
NAIM RAMADANI
