Maqedoni
Ndërtimi i Qendrës së re klinike, Filipçe: Janë siguruar mjetet për ndërtim
31.07.2019 17:00
Qendra e re Klinike në Gjorçe Petrov do të kushtojë 500 milionë euro dhe do të financohet nga një linjë kredie...

Qendra e re Klinike në Gjorçe Petrov do të kushtojë 500 milionë euro dhe do të financohet nga një linjë kredie e siguruar nga tri banka komerciale që paraqitën ofertën më të mirë, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe shtoi se marrëdhëniet pronësore-juridike janë pastruar dhe toka në të cilën do të ndërtohet Qendra klinike është plotësisht në pronësi të shtetit.
Qendra e re klinike do të ndërtohet në 30 hektarë tokë dhe sipërfaqja e përgjithshme e qendrës do të jetë 105 mijë metra katrorë dhe do të zhvillohet në tre faza ndërsa pritet të përfundojë për 7 vite.
“Ministria e Financave u ka dërguar 18 kërkesa fondeve për investime ndërkombëtare dhe bankave komerciale. Gjashtë prej tyre u përgjigjën, me çka është zgjidhur oferta që projekti të financohet nga bankat “Erste Group”, “Raiffeisen Bank” dhe “Unicredit”. Të dhënat për kushtet për shlyerje të kredisë i kanë Ministria e Financave, kështu që nuk do të doja të spekuloja me numra. Në fazën e parë do të përfundojnë punimet në infrastrukturë, si furnizimi me ujë, energji elektrike, kanalizime, për të cilat do të hapet një tender në gusht. Sapo të përfundojnë përgatitjet në terren dhe dokumentacioni i projektit të jetë i plotë, mund të fillojë ndërtimi, kështu që ne presim që ajo të jetë në fillim të vitit të ardhshëm”,- theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sa i përket pjesës së vjetër të ndërtesës ekzistuese, ministri Filipçe tha se ende nuk ka vendim se cila pjesë e objektit të vjetër do të mbetet në përdorim si spital për qytetarët e asaj zone të Shkupit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
