Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, Stoillkovski: Ruskoska të bastis PSP-në. Zaev: Takimi me Boki 13, për realizim projekti

31.07.2019 17:16

VMRO–DPMNE kërkon nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të bastis PSP-në për të zbardhur rastin “Zhvatja”...

VMRO–DPMNE kërkon nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të bastis PSP-në për të zbardhur rastin “Zhvatja” dhe gjithë personat e përfshirë.
 
Partia e Mickovskit akuzon Prokurorinë dhe Ruskoskën se po ndihmojnë heshtjen e rastit, duke mos ndërmarrë aktivitete konkrete dhe duke i lejuar kështu edhe prokurores Janeva të fitojë në kohë për të fshirë të dhënat e kompjuterëve dhe ndikuar mbi dëshmitarë.
 
“Mjafton vetëm të hetohet organizata joqeveritare e Boki 13 dhe të hyhet në PSP, atëherë i gjithë rrjeti i zhvatjes do të zbulohet. Vetëm ashtu do të kuptohet për të gjitha figurat e rrëfimeve publike të zhvatjes. Por, frika e prokurorisë dhe Ruskoskës është e qartë. Nëse ata hetojnë profesionalisht, ekziston mundësia që të gjitha rrugët e zhvatjes në fund mund të shpijnë deri tek kryeministri, Zoran Zaev”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
 
Por, kryeministri Zaev kërkoi që hetimi mbi rastin të vazhdojë ndaj të gjithëve që kanë gabuar para ligjit. Ndërkaq takimin me të dyshuarin, Bojan Jovanovski, në korrik të vitit të kaluar në qeveri, e ka realizuar për të folur rreth mundësisë së ndërtimit të shtëpive të pleqve.
 
“Takimi kishte të bëjë me dhënien e hapësirës për realizimin e shtëpive për përkujdesje të pleqve në vend. Kjo është pjesë edhe e programit qeveritar dhe sikurse të gjithë qytetarët, ashtu edhe Bojan Jovanovski ishte i njoftuar për procedurat në përputhje me ligjin. Kjo nënkupton sigurimin e lokacionit në rajonet ku kjo është e mundur, të aplikohet me projekte dhe të marrin leje për ndërtim. Qeveria për çdo ditë pranon njerëz, nuk është hera e parë që të kemi raste kur kjo është keqpërdorur, apo e kundërta, por për këtë ekzistojnë hetimet që do të vërtetojnë të gjitha dëshmitë, argumentet dhe gjithsecili që ka gabuar para ligjit edhe të përgjigjet”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Tanimë dy javë nga hapja e rastit “Zhvatja”, Prokuroria nuk jep detaje se çfarë është zbuluar nga celularët e Katica Janevës. Kryeprokurorja speciale deponoi dorëheqje, por që të njëjtën do ta aktivizojë pasi të zgjidhet pasuesi i saj.
 
MERAL ISMAILI