Maqedoni
Tetovë, dy të lënduar nga krisma në një aheng familjar
31.07.2019 17:38
Dy persona kanë mbetur të plagosur në një aheng familjar në Reçicë të Vogël në Tetovë...

Sipas SPB-së - Tetovë, bëhet fjalë për 27-vjeçarin A. B. nga Reçica e Vogël dhe 26 vjeçarin F. A. nga Reçica e Madhe. Njëri nga të plagosurit është djali i deputetit të integristëve, Xhevat Ademit.
Menjëherë pas rastit, të dy janë dërguar në spitalin e Tetovës, ku u është dhënë ndihma e parë mjekësore. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
“Lëndimet tek të dy të plagosurit kanë qenë në pjesën e gjoksit, më pas njëri nga ta ka qenë pak më rëndë, është dërguar menjëherë për në Shkup, ndërsa tjetri pas ekzaminimeve të kryera dhe observimit këtu tek ne, është dërguar në Klinikën Universitare në Shkup. Në komunikimin tonë profesional në mëngjes me kolegët tanë në klinikat universitare na njoftuan se janë në gjendje stabile të dy të lënduarit”,- tha kryeshefi i Kirurgjisë - Tetovë, Ylber Besimi.
Rasti është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila do të bëjë ekspertizë dhe hetim të hollësishëm të rastit. Ministri Spasovski apeloi për kujdes dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për mospërdorimin e armëve në ahengje gazmore.
“Për fat të keq, kemi dy të plagosur në një aheng familjar. E di që ka qenë i pranishëm edhe një deputet në atë aheng. Faktet dhe argumentet nga hetimi i kryer do të sistematizohen dhe të gjitha këto do të jepen në Prokurorinë Publike me qëllim të zbardhjes së rastit. Me rëndësi është ngritja e vetëdijes tek qytetarët për përdorimin e armëve. Ahengjet familjare nuk bëhen që dikush në mënyrë të papërgjegjshme të përdorë armë zjarri. Kjo duhet të jetë vetëm një motiv më shumë që të gjithë të punojmë të ngrihet vetëdija tek qytetarët”,- theksoi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
SPB - Tetovë njofton se vitin e kaluar ka pasur më shumë se 50 raste të paraqitura nga familjarë për gjuajte me armë zjarri nëpër ahengje familjare, ku pjesa më e madhe e rasteve janë edhe me procedura gjyqësore.
VISAR SADIKI
