Alban Muja, me ekspozitë personale në Shkup
Artisti kosovar, Alban Muja, është prezantuar me mjaft sukses mbrëmë në Shkup. Përmes rrëfimit fotografik dhe filmik, janë trajnuar fenomene të përditshmërisë që askush deri tani nuk është kujtuar t’i trajtojë në mënyrë artistike.....

Nga 5 projektet e tij, më mbresëlënësi padyshim është “Nejming”(emërimet), që tregon fakti i shumënjohur tashmë se si emrat e qyteteve të Shqipërisë janë emra njerëzish në Kosovë. Berati, Miloti, Saranda, Gjirokastra, Shkodrani, Butrinti e Vlora janë personazhet që pozojnë me fotot e emrave të qyteteve me të cilat janë pagëzuar.
“The Tonys”, një vepër fotografike e vitit 2010, bën bashkë 9 “Toni Blerat e Kosovës”, që janë pagëzuar kësisoj në nderim të ish-kryeministrit britanik.
Rrëfimi gjashtëminutësh i vajzës me emrin “Palestina”, tregon rrëfimin se si në shenjë solidarizimi për vrasjet në këtë Shtet, e ëma ia ka vënë emrin vajzës “Palestina”.
Edhe “Tibet” ka për personazh një shqiptar të Kosovës që jeton në Zvicër.
Vetë artisti thotë se kjo ekspozitë është një lloj çelësi i bashkëpunimeve të tij me Maqedoninë, pasi është hera e parë që ekspozon në Shkup.
“Në fakt nuk është hera e parë që vij në Maqedoni, por me një solo ekspozitë personale është hera e parë që vij në Maqedoni. Kjo është e rëndësishme edhe për mua, sepse një pjesë të artit në Maqedoni e njoh shumë mirë, por nuk njoh shumicën e artistëve shqiptarë. Shpresoj që kjo është një lloj lidhje apo rilidhje komunikimi mes dy vendeve, mes dy skenave të artit dhe pak a shumë është një eksperiencë e re për mua”- deklaroi autori, Alban Muja.
Këtë ide kaq origjinale e ka ndihmuar edhe Ambasada e Kosovës në Maqedoni.
“Ideja jonë ka qenë ta ndihmojmë një paraqitje të këtillë me një artist të renomuar ndërkombëtar si Alban Muja dhe është interesante se organizatorët njihen pikërisht me Albanin në skenat evropiane të artit dhe një praktikë e tillë e hapur nga njëri-tjetrit pa pasur nevojë që kjo të bëhet përmes palës së tretë, është inkurajuese dhe neve na vjen shumë mirë që diçka e tillë organizohet në Shkup”- theksoi ambasadori i ri i Kosovës në Shkup, Ylber Hysa.
Por, veprat e tij nuk do të ndalen vetëm në Ballkan. Ekspozita e tij vazhdon edhe në Gjermani. (Ardita Imeri, TVM2)
