Maqedoni
“Naftë e gjelbër” përplas pushtetin dhe opozitën, LSDM: Me këtë masë përfitojnë 55.000 fermerë. VMRO: Kjo është masë populiste dhe joefikase
01.08.2019 15:27
Fillimi i realizimit të projektit “Naftë e gjelbër” për bujqit ka përplasur pushtetin dhe opozitën...

Nga LSDM thonë se ky projekt është përgjigje e kërkesave me dekada të bujqve për reforma, të cilat VMRO-DPMNE për 11 vite i ka injoruar.
Ata shtojnë se me këtë masë të re do të përfitojnë rreth 55.000 fermerë, nëpërmjet së cilës do të përforcohen kapacitet e tyre prodhuese dhe parashihen të kthehen rreth 200 milionë denarë.
“Këtë masë do të mund ta shfrytëzojnë rreth 55.000 fermerë të regjistruar për kultivimin e kulturave kopshtare dhe ata të cilët posedojnë tokë të përpunueshme. Në të njëjtën kohë është paraqitur kërkesë për subvencione në bazë të programit të pagesave direkte 2018. Në këtë mënyrë rreth 200 milionë denarë do të kthehen tek bujqit. Llogaritja se cili bujk sa para do të ketë në kartelë, do të varet nga lloji i prodhimit që ai ka paraqitur për subvencione. Shuma minimale që do të aprovohet për prodhuesit e vegjël është 500 denarë, ndërsa shuma më e lartë është e kufizuar në 100.000 denarë”,- tha deputetja e LSDM-së, Tatjana Prentoviç.
Nga VMRO-DPMNE akuzuan pushtetin se përmes kësaj mase po gënjen qytetarët dhe se nuk do t’i zgjidh problemet e bujqve.
"Masa “naftë e gjelbër” është një masë kuazi. Qeveria e LSDM-së vazhdon të gënjejë qytetarët pa turp. Me masën “nafta e gjelbër” Qeveria planifikon të ndajë 55,000 karta për naftën e gjelbër, ndërsa ka mbi 100.000 bujq të regjistruar në Maqedoni. Nga kjo masë populiste dhe joefikase, bujqit nuk do të përfitojnë. Me këtë masë, LSDM nuk zgjidh problemet e bujqve. Ata kanë probleme me shitjen dhe çmimin e produkteve të tyre”,- thuhet në kumtesën e VMRO-së.
Nga atje shtojnë se për shkak të politikave të këqija në bujqësi, LSDM duhet menjëherë të japë dorëheqjen dhe të caktojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
GAZMEND KURTISHI
