Maqedoni
U shua në rrethana të panjohura, 100 vjet nga vdekja e Kolë Bojaxhiut
01.08.2019 16:00
Në manifestimin ku u shënua 110 vjetori i vdekjes së Kolë Bojaxhiut, veprimtarit dhe babait të humanistes shqiptare Nënë Tereza...

Në manifestimin ku u shënua 110 vjetori i vdekjes së Kolë Bojaxhiut, veprimtarit dhe babait të humanistes shqiptare Nënë Tereza, të pranishmit ngritën lart figurën dhe veprimtarinë e tij të bujshme.
Thanë se vdekja e tij ka ndodhur në rrethana të panjohura, me t’u kthyer nga Beogradi, ku lindën edhe dyshimet së është helmuar nga agjentët serbë.
Kolë Bojaxhiu ishte një biznesmen shqiptar dhe politikan, ndërtoi teatrin e parë të Shkupit. Ai ka marrë pjesë në zhvillimin e linjës hekurudhore Kosovë - Shkup - projekt që ai e financoi personalisht.
“Ishte një njeri i cili jetonte për liri dhe pavarësi nga sundimet e huaja. Njeri i cili përkrahte shkollimin arsimimin dhe qytetërimin e familjeve tona, një bamirës i rrallë dhe shumë i dalluar për të varfrit, sidomos për kishën katolike dhe veprimtarinë bamirëse”,- tha përfaqësuesi i ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji.
“Ne mburremi me jetën e tij, me veprat e tij, kur e shënojmë 100 vjetorin e tij, i cili ka vdekur me një vdekje të dyshimtë që supozohej se është helmuar pas një takimi në Beograd”,- theksoi ambasadori i Kosovës në RMV, Gjergj Dedaj.
“Është nder, privilegj dhe kënaqësi në këtë tempull të zotit të flasësh për një person i cili ia ka dhuruar botës një bijë siç është Nënë Tereza”,- u shpreh përfaqësuesi i familjeve katolike shqiptare në Shkup, Anton Sereqi.
“Në Shkup argumentohet qenia jonë dhe jorastësisht këtë opus të kësaj qendre shpirtërore të shqiptarëve e plotësojnë edhe familja Bojaxhiu, gjegjësisht Kolë Bojaxhiu”,- u shpreh drejtori i ITKSHSHM-së, Skender Hasani.
“Në këtë vit, si asnjëherë më parë, kemi mundësinë që edhe në shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës, të flasim shqip dhe të kujtohemi shqip në këtë përvjetor”,- theksoi drejtori i SHP “Nënë Tereza”, Arijan Asllanaj.
“Dallohej për aktivitet e tij shumëdimensionale. Ai njihej si ndërtues i teatrit në Shkup, por edhe një vepër tjetër që ka shumë rëndësi historike dhe patriotike, është një financues i hekurudhës që lidh Shkupin me Kosovën, sidomos në grykën e Kaçanikut”,- deklaroi pinjoli i familjes së atdhetarit Hasan Prishtina, Memet Prishtina.
Kolë Bojaxhiu atë botë ishte i vetmi këshilltar shqiptar në qytetin e Shkupit dhe deri në fund të jetës u angazhua për të drejtat e shqiptarëve.
REJHANE BUSHI METAJ
