Ekonomi

Investuesit austriakë presin shtim të fitimit

10.09.2014 15:32

Gjendja ekonomike në Maqedoni, do të përmirësohet gjatë vitit 2014 dhe 2015 me anë të rritjes së prodhimit, punësimeve të reja, si dhe rritjen e investimeve...

Kështu vlerësojnë Kompanitë austriake, të cilat kanë investuar në Maqedoni, bazuar në rezultatet e një  hulumtimi. Madje gjatë vitit të ardhshëm, 60 % të Kompanive austriake presin rritje të të ardhurave në Kompanitë e tyre. 
 
“Në Maqedoni ka rreth 45-50 Kompani nga Austria, të cilat janë me filiale të reja ose përfaqësi. Ato veprojnë në sferën e shërbimeve dhe nuk ka asnjë në sferën e prodhimit, por shpresojmë se kjo gjë do të ndryshojë gjatë viteve të ardhshme. Të dhënat nga hulumtimi ynë tregojnë se Kompanitë austriake janë më optimiste për gjendjen ekonomike në Maqedoni”- deklaroi shefi i Sektorit Tregtar pranë Ambasadës austriake në Shkup, Gerhard Shatel.
 
Pjesa më e madhe e Kompanive austriake kanë numër të vogël të të punësuarve, ndërsa numri i plotë është rreth 6 mijë të punësuar.
 
Sipas statistikës më të re zyrtare të “Bankës Popullore”, vlera e plotë e investimeve direkte nga Austria në vend kap shumën 437 milionë euro deri në fundin e kuartalit të dytë të vitit 2014.
 
BESIM ABDULLAI