Maqedoni
Rasti “Zhvatja”, Stoillkovski: Kostadinov i përfshirë në zhvatje. Kostadinov: S’kemi bashkëpunuar me OJQ-në e Boki 13. Kaleska: VMRO punon nën urdhrat e Gruevskit
01.08.2019 17:16
Zëdhënësi dhe deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, në shënjestër të VMRO-së opozitare për rastin “Zhvatje”...

Partia e Mickovskit akuzon Kostadinovin për përfshirje në zhvatje pas deklarimeve të tij për bashkëpunim frytdhënës me Shoqatën joqeveritare të të dyshuarit, Bojan Jovanovskit.
“Kostadinov të përgjigjet se a ka keqpërdorur ndikimin e tij si deputet, zëdhënës, ndihmës i Zaevit dhe ish kryetar i komunës së Strumicës për të shfrytëzuar këtë organizatë të zhvatjes? Kostadinov ka deklaruar se bashkëpunimi fillestar me zotëri Jovanovskin ka dhënë fryte dhe se kanë qenë në rrugë të mbarë për të firmosur bashkëpunimin midis “Unionit Ndërkombëtar” dhe komunës së Strumicës. Për çfarë fryte të bashkëpunimit flet Kostadinov, cili ka qenë roli i tij në dhënien e ofertave dhe deri ku është i përfshirë ai?”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Deputeti Kostadinov në profilin e tij në facebook është përgjigjur se sikurse çdo komunë ashtu edhe komuna e Strumicës ka të nënshkruara me qindra memorandume për bashkëpunim, por jo edhe me shoqatën e përmendur nga VMRO.
Socialdemokratët akuzojnë VMRO-në se po punon nën urdhrat e Gruevskit duke trilluar lajme të rreme për të penguar përparimin e shtetit.
“Hristijan Mickovski dhe VMRO-DPMNE jo vetëm se nuk distancohen nga krimet e Gruevskit, por punojnë nën direktivat e tij. Ata janë përkushtuar në destruktivitet, lajmet e rreme dhe tentime për të bllokuar përparimin e vendit”,- theksoi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kaleska.
Nga LSDM ftojnë Mickovskin të tregojë qëllimin e takimit me Gruevskin dhe se a ka takuar njërin nga të dyshuarit për rastin “Zhvatja” në selinë e partisë.
MERAL ISMAILI
